Thaçi e Jahjaga nuk bëzajnë për dhunën ndaj shqiptarëve në Serbi
Lëvizja VETËVENDOSJE! po përcjellë me vëmendje të plotë reagimet dhe zhvillimet e ngjarjeve pas lojës Shqipëri-Serbi që ndodhën në fillim të kësaj jave. Me shqetësim po marrim lajme për sulmet ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Këto sulme që nuk janë risi e kësaj jave, por që ndodhin në baza ditore, e në mënyrë sistematike kundër bashkëkombasve tanë, nuk kanë gjetur kurrë as reagim institucional e as joformal qoftë nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga qoftë nga Qeveria e Republikës së Kosovës .
Përderisa Qeveria në ikje me nënshtrim të plotë ka marrë pjesë në një dialog të pabarabartë me Serbinë, ajo dhe përfaqësuesit e saj në asnjë moment nuk i kanë dalë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Përveç masave konkrete, as edhe një letër e vetme proteste nuk i është dërguar Serbisë për incidentet e shumta që kanë ngjarë ndaj shqiptarëve atje. Kështu po ndodh edhe sot.
Është detyrë e secilës Qeveri, madje edhe asaj që është në ikje, të reagojë për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombasve të saj kudo që jetojnë. Paaftësia për të reaguar dhe për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e shqiptarëve, i legjitimon si të drejta aktet vandale ndaj tyre.
Qeveria e skaduar që nuk i kursen ditët e numëruara për të nënshkruan kontrata gjysmë miliardëshe për autostrada, për të keqpërdorë buxhetin për privilegje personale, po vazhdon të jetë e heshtur përballë sulmeve të paramenduara fashiste e raciste ndaj popullatës shqiptare.
Po ashtu asnjë reagim nuk po vjen nga Presidentja Jahjaga, roli i të cilës është drejtimi i politikës së jashtme të Republikës tonë. Teksa çdo ditë flitet në forume vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave kudo në botë është e patolerueshme heshtja përballë cenimit ekstrem të shqiptarëve në Serbi.
17 tetor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!