Pushtetarët nuk duan ta humbin pushtetin, sepse e humbin lirinë
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot tubim me qytetarët e Gjilanit, ku u diskutua lidhur me bllokimin që ia ka bërë pakica parlamentare shtetit, pra PDK-ja. Në këtë tubim ishin deputetët, Ismajl Kurteshi, Besa Baftiu dhe Kryetari, Albin Kurti.
Deputeti Ismajl Kurteshi tha se në një situatë kur procesi zgjedhor nuk kontestohet, dhe kur mbi 50% e deputetëve pajtohen për formimin e institucioneve, askush nuk ka të drejtë t’i pengojë. “Është me rëndësi të kuptohet se PDK-ja, që i ka tani 36 deputetë dhe ka dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit, nuk i ka fituar zgjedhjet. Kjo do të thotë se PDK nuk mundet t’i formojë institucionet. Institucionet mund t’i formojë vetëm subjekti ose koalicioni që i ka së paku 61 deputetë, e më shumë se kaq deputetë i kanë vetëm katër subjektet që e kanë nënshkruar marrëveshjen e 10 shtatorit”, tha Kurteshi. Ai përfundoi fjalën e tij duke thënë se “koalicioni, duke e respektuar Kushtetutën dhe procedurat zgjedhore, por pa hequr dorë nga parimi bazë i demokracisë dhe pa humbur kohë, duhet ta zgjedh Kryetarin e Kuvendit të Kosovës e pastaj menjëherë edhe Qeverinë e vendit”, përmbajtje kjo që u përsërit disa herë në forma të ndryshme nga qytetarët që morën fjalën në këtë tubim.
Kryetari Albin Kurti duke iu drejtuar të pranishmëve, foli për dëmet që ia ka shkaktuar qeverisja e PDK-së Kosovës, për kapjen që ia ka bërë shtetit kjo parti, gjë që dëshmohet edhe me insistimin e Enver Hasanit, Flora Brovinës dhe Atifete Jahjagës në të drejtën e paqenë të PDK-së për ta mbajtur Kryeparlamentarin, si dhe për marrëveshjen e arritur më 10 shtator në mes VETËVENDOSJE!-s, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s.
Lidhur me marrëveshjen e 10 shtatorit, për të cilën edhe pyetën qytetarët, Kurti tha se kjo marrëveshje përqendrohet në çështjet e zhvillimit ekonomik, tek rritja e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, tek reformat substanciale në arsim dhe shëndetësi, në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për reformat institucionale dhe demokratike; në dialog të ri me Bashkimin Evropian për anëtarësimin e Kosovës edhe në NATO edhe në BE, në dialog të hapur me pakicën serbe ku i trajtojmë ata si qytetarë të Republikës në kuadër të zhvillimit për hir të zhvillimit.
Gjatë këtij bashkëbisedimi me qytetarët e Gjilanit u shtjellua edhe pika e pestë e marrëveshjes, pasi që qytetarët donin ta kuptonin mënyrën se si dhe në çfarë kushtesh do të mund të zhvilloheshin negociata të shtetit të Kosovës me cilindo shtet tjetër, nga qeveria e shumicës parlamentare. “Në pikën e pestë, të marrëveshjes së 10 shtatorit, themi që angazhohemi për dialog parimor, cilësor, të përgatitur mirë e të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Përveç kësaj ky dialog parimor duhet të jetë i tillë që e përfshinë parimin e reciprocitetit dhe të respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial”, potencoi Kurti. Ndërsa sa i përket dialogut të deritanishëm ai tha: “Dialogun e deritanishëm do ta hetojmë e hulumtojmë me Komision Hetimor Parlamentar. 40 takime Thaçi-Daçiç. Nuk i kemi as transkriptet as procesverbalet. Andaj, dialogu duhet t’i nënshtrohet një hetimi, dhe gjithashtu do t’i përdorim mekanizmat për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura, duke shfrytëzuar edhe Komisionin e Venedikut”, duke shtuar se PDK i bëri koncesione pafund Serbisë, bëri korrupsion pafund në Kosovë, dhe shkatërroi institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.
Qytetarët donin të dinin më shumë lidhur me raportin në mes të VETËVENDOSJE!-s dhe LAN-it, me ç’rast Kurti tha se shumica parlamentare nuk është e përsosur aspak në të mirën e saj, mirëpo e dimë që kjo shumicë parlamentare është për kundruall PDK-së, e cila është gati e përsosur në të keqen e saj. Pasi përmendi disa nga krimet skandalet që PDK i ka bërë gjatë qeverisjes, Kurti tha se këta njerëz nuk e kanë vendin në pushtet, por në burg. “Mirëpo, pikërisht këta e kanë kapur shtetin, në mënyrë që gjyqësia, prokuroria, policia, Presidentja, Gjykata Kushtetuese, të mos jenë në shërbim të qytetarëve por në shërbim të kësaj partie shtet e cila e kupton se është në liri vetëm kur është në pushtet. Posa ta humbin pushtetin, këta e dinë që e humbin edhe lirinë”, u shpreh Kurti.
Disa nga të pranishmit që morën fjalën në këtë tubim, kërkuan që të ndërmerren hapa konkretë, sa më shpejt, për konstituimin e Kuvendit dhe më pas formimin e Qeverisë. “Të mos presim më shumë se populli është lodhur tashmë. Duhet të formohen institucionet nga ata që e kanë shumicën në Kuvend. Prandaj, deputetët e VETËVENDOSJE!-s dhe LAN-it duhet të insistojnë më shumë në të drejtën e tyre”, tha njëri nga qytetarët e Gjilanit.
1 nëntor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!