14 07 2014

VDEKJA E PUNËTORËVE NË KAZAKISTAN RËNDON MBI TË GJITHË ATA QË E KANË VARFËRUAR KOSOVËN

Sot ka ndërruar jetë edhe qytetari i katërt nga Kosova që po punonte në Astana të Kazakistanit. Lëvizja VETËVENDOSJE! i shprehë ngushëllimet familjeve dhe njëkohësisht shpreh shqetësimin për humbjen e jetës së qytetarëve të cilët janë detyruar të mërgojnë për sigurimin e ekzistencës.

Kosova është nga vendet e rralla në botë që e sheh të zbatuar aq pastër skllavërinë neoliberale. Në Kosovë eksportohen njerëzit, importohen produktet për t’u eksportuar edhe paratë pastaj. Gjuha e ftohtë e ekspertëve na thotë se këto janë kushtet e tregut. Ata bile ishin të lirë të zgjidhnin nëse duan të shkojnë ose jo. Por ja që “kushtet e tregut” janë kushtëzuar nga faktorë konkret subjektivë ku mund të ndikojmë dhe jo nga natyra objektive e gjërave apo fuqitë mbinatyrore mbi të cilat s’mundemi as të gjykojmë.

Konkretisht, Kosova është bërë treg i fuqisë së lirë punëtore por edhe pre e biznesmenëve matrapazë sepse ajo lëngon nga papunësia, varfëria e moszhvillimi. E, të gjitha këto vijnë nga politikat e zbatuara ekonomike tash e 16 vjet. Politika që shkatërruan potencialin prodhues, i lanë njerëzit buzë ekzistencës dhe shkatërruan shoqërinë. Nga politikanë si Isa Mustafa e Hashim Thaçi që premtojnë qindra-mijëra vende pune e kur fillojnë qeverisjen s’bëjnë gjë tjetër veçse zgjerimin e klientelës, zhvatjes së buxhetit e koncesione Serbisë.

Ky rast tragjik është thirrje që na fton për angazhim e na thërret në përgjegjësi për ta ndërtuar perspektivën këtu dhe jo të krenohemi me projektet që degdisin qytetarët jashtë vendit siç bën Qeveria.

14 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo