Lirojini veteranët!
Lëvizja VËTËVENDOSJE! reagon kundër arrestimit të veteranëve të luftës dhe mbajtjes së tyre padrejtësisht në paraburgim. Ky pushtet pasi e ka dëshmuar moskujdesin për vite të tëra për këtë kategori, po e përdor aparatin shtetëror të dhunës për t’ua mohuar edhe protestën, si mjet demokratik i domosdoshëm përmes të cilit veteranët e luftës po i kërkojnë të drejtat e tyre.
Persekutimi i veteranëve të luftës vjen me një kohë kur padrejtësitë ndaj tyre po rriten në proporcion të drejtë me rritjen e pasurisë së pushtetarëve që shfrytëzuan maksimalisht luftën e tyre për përfitime personale.
Ky pushtet në vend se t’i trajtojë siç duhet veteranët e luftës, i ka varfëruar e përçmuar, po i rrahë, po i arreston, po iu formon edhe “gjykata speciale”, për t’i frikësuar e shtypur edhe më tej, në mënyrë që t’i shuajë kështu zërat e pakënaqur të kësaj kategorie.
Kërkesat e tyre janë të drejta. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve të arrestuar!
8 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!