22 08 2015

Dëmet që ia shkakton “Zajednica” Mitrovicës

Formimi i “Zajednicës” e dëmton edhe më rëndë qytetin tashmë e ndarë të Mitrovicës. Dëmet do të vërehen në cenim të territorit, ekonomi e siguri. Ndarja e formalizuar e qytetit në dy komuna me Planin e Ahtisaarit po betonohet me duke ia dhënë Zajednicës komunën e veriut të Mitrovicës.

Territorit të Mitrovicës, pjesës ku kanë qasje shqiptarët i kanë mbetur 350 km2. Ndërkaq në pjesën e Mitrovicës së veriut janë edhe 11 km2 të tjera, të shkëputura nga ndarja etnike. Tutje në veri të Ibrit bëjnë pjesë edhe Zveçani me 122.4 km2; Zubine Potoku 335 km2; Leposaviqi 750 km2; Vetëm pjesa veriore i ka 1218 km2. Me formimin e “Zajadnicës” mbesin jashtë 6 fshatra shqiptare (Kelmend, Boletin, Zhazhë, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë e Vllahisë)

Mitrovica në pjesën veriore dhe perëndimore kufizohet me “Zajednicën”: 8 km në perëndim fillon komuna e Zubin Potokut.

Po ashtu, “Zajednica” drejtpërtësëdrejti ndikon në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës edhe ashtu të varfër. Ajo do ta kontrollonte gjysmën e Trepçës, (minierat deri në Leposaviq, rezervat e mëdha të mineraleve si dhe infrastruktura e vjetër e Kombinatit që përfshin shkritoren, rafinerinë, tymtarin, Trepça commerce, Trepça bank dhe drejtorinë). Gjithashtu ka mbi 1200 punëtorë dhe drejtorinë e vet.

“Zajednica” do të kishte kontroll komplet mbi liqenin e Ujmanit dhe hidrocentralin e Ujmanit (19 MW) duke përfshirë edhe hidrosistemin Ibër – Lepenc që furnizohet nga liqeni dhe i cili përdoret për ftohe në Obiliq dhe ujitje të tokave bujqësore. Ajo do të prekte edhe shpërndarjen e energjisë elektrike për Mitrovicën meqë në Zveçan ndodhet trafostacioni i Vallaqit nga ku vjen rryma nga Obiliqi.

“Zajednica” mund ta ketë edhe kontrollin e kufirit dhe të doganave. Impianti për pastrimin e ujërave të zeza planifikohet që të ndërtohet në Zveçan

Me formimin e “Zajednicës” do të kishte shumë pika neurologjike si: Ura e Ibrit, Lagjja e Boshnjakëve, Lagjja e Doktorëve, Kroi i Vitakut, Suhadolli, fshati Vidimriq. Kurse, në shërbime / kompani elektroenergjetike, telekomunikacion, furnizim me ujë ka paqartësi të shumta. “Zajednica” do të ketë të drejtën e planifikimit hapësinore që përfshin edhe rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve të dëbuar.

Nga aspekti i sigurisë pos Policisë së Kosovës që përbëhet kryesisht nga ish – policë të Serbisë akoma funksionon Civilna Zastita dhe po ashtu mbetet e paqartë se si do të funksionojë FSK-ja në veri.

Dëmet që po i shkaktohen Mitrovicës duhet të ndalen. “Zajednica” është e papranueshme. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë e kundërshton ashpër “Zajednicën” dhe do ta pengojë atë me tërë kapacitetin e saj dhe iu bën thirrje edhe mitrovicasve që të bashkohen në mbrojtje të Mitrovicës dhe Kosovës nga “Zajednica” e Beogradit.

22 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë

Kontribo