Mitrovicë: Populli s’pranon Zajednicë
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur një tribunë në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” ku janë diskutuar dëmet dhe rreziqet që shkaktohen nga formimi i “Zajdenicës” në Kosovë. Në tribunën ku folën Kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri, nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, Shefi i grupit parlamentar Glauk Konjufca dhe Kordinatori i Qendrës së Mitrovicës Faruk Mujka u tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! po punon që ta mobilizojë popullin kundër formimit të kësaj “Zajednice”.
Ymeri gjatë fjalës se tij tha se nuk ka Republikë ku disa qytetarë janë të privilegjuar e disa të diskriminuar. Sipas tij, kjo po e betonon ndarjen e Kosovës. Ai fajtorë për këtë i sheh politikanët e korruptuar që po e pranojnë këtë ndarje. Ymeri tha se udhëheqja qeveritare është e varur. “Disa për dosje të korrupsionit, disa për pasuri të paligjshme e disa për pasurimin e djemve dhe vëllezërve, atëherë del se këta nuk janë të gatshëm që në asnjë mënyrë ta mbrojnë interesin e Kosovës”, tha ai. “Zajednica” e pengon zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë. “Për secilin aspekt të jetës politike, shoqërore, ekonomike… duhet të merret pëlqimi edhe prej Serbisë”, tha Ymeri. Kurse duke folur për Kryeministrin Isa Mustafa tha se “ai po i përdor mjetet e aparatit shtetëror duke i vënë në funksion të mbrojtjes siç po e quan ai, nga sulmi që VETËVENDOSJE! po i bën rançit të tij”.
Kurse, deputeti Glauk Konjufca tha se kërkesa e Serbisë për krijimin e “Zajednicës” në Kosovë është e menduar më herët dhe është e qëllimshme. “Zajednica është me keq sesa nivel i tretë i pushtetit sepse ajo është një shtet brenda shtetit të Kosovës”.
Ndërkaq, Faruk Mujka i ka diskutuar me qytetarë edhe njëherë aksionet e ditëve të fundit që kanë zhvilluar aktivistët në Mitrovicë. Të gjitha këto, ai tha se e kanë për qëllim kundërshtimin më të fortë të këtij rreziku të Kosovës.
“Zajednica” gjithsesi që ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës edhe ashtu të varfër. Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti foli për gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Ajo tha se shumë qytetarë janë të varfër sot, por kjo duhet të paraqesë edhe një arsye për angazhimin e tyre për ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Ymeri gjatë bashkëbisedimit me qytetarë ka thënë se ende ka kohë që procesi të kthehet prapa dhe këtë mund ta bëjnë qytetarët.
Pas kësaj tribune aktivistët bashkë me qytetarë zhvilluar një aksion ku u shënua “Mitrovica nuk e pranon Zajednicën”.
29 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë