11 09 2015

Dhjetëra vetura të Qeverisë së Kosovës u defunksionalizuan nga aktivistët e VETËVENDOSJE!-s

Sot rreth orës 11:20, dhjetëra vetura të Qeverisë së Kosovës u defunksionalizuan nga aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, duke ua shfryrë gomat. Policia e Kosovës intervenoi me njësitet e saj speciale duke rrahur, lënduar dhe arrestuar aktivistët. Disa nga aktivistët e arrestuar janë: Gëzon Kastrati, Alban Makolli, Daut Halili, Armend Krasniqi, Vllaznim Krasniqi, Muhamet Merofci, Erden Atiq, Imer Fejza, Uran Hasani, Teuta Hasani, Muhamet Bytyqi, Fatos Sahiti, Kastriot Gërbeshi, Gurjeta Zeka, etj. Disa nga aktivistët e lënduar janë Albana Gashi, Etleva Malushaj, Margaritë Hajrizi, Valon Simnica, etj. Policia është duke përndjekur aktivistët e Lëvizjes nëpër qytet dhe po i arreston e rrah ata kudo që po i takon.

Këta pushtetarë duan ta defunskionalizojnë shtetin e Kosovës. Përballë kësaj situate nuk mbetet tjetër veç angazhimit për ta ndaluar këtë.

Ne sot duam të defunksionalizojmë qarkullimin e veturave të qeverisë së Isa Mustafës sepse këtë qeveri, Mustafa po e përdorë për ta jetësuar “Zajednicën”, me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës. Mustafa e ka vënë gjithë sistemin shtetëror në funksion të “Zajednicës”. Edhe policia e gjyqësia janë bërë jashtëzakonisht efektive kur vije puna t’i arrestojnë dhe dënojnë kundërshtarët e këtij projekti.

Kosova po rrezikohet nga funksionimi i kësaj qeverie. Këto rreziqe katastrofike ne na bëjnë të lëvizim. “Zajednica” duhet të ndalohet. E meqë Isa Mustafa e ka lidhur aq pazgjidhshëm qeverinë e tij me këtë projekt të ndarjes etnike të vendit, atëherë e vetmja mënyrë për ta ndalur “Zajednicën” është defunksionalizimi i Qeverisë Mustafa. Vetëm kështu shpëton Kosova.

Kontribo