21 09 2015

Reagim për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese

Sot, Gjykata Kushtetuese edhe njëherë e vërtetoi kapjen strukturore të pushtetit. Me përmbajtjen e aktvendimit me të cilin ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën e 24 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo gjykatë ka hequr dorë nga mbrojtja preventive dhe represive të rendit kushtetues. Një gjykatë e tillë, e cila formalisht konsiderohet si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, e redukton veten brenda kapitullit II mbi të drejtat elementare, e kur e bëri vlerësimin e amendamentit XXIV për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, tejkaloj pak edhe Kapitullin II për tu marrë edhe me Kapitullin III mbi të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Gjykata Kushtetuese sot e ka shpjeguar natyrën e interpretimit të ardhshëm lidhur me të ashtuquajturin “dekretin e Qeverisë” për themelimin e Zajednicës. Për këtë kur një organ kushtetues i cili ka për detyrim kushtetues vlerësimin e cilitdo akt të Kuvendit i cili krijon pasoja juridike të vlerësoj kushtetutshmërinë e të njëjtit, heq dorë nga vlerësimi i aktit i cili jo vetëm që ndërhyn në sistemin kushtetues siç është amendamenti XXIV, cili do të konstruksioni interpretues për një akt ligjor të cilin e nxjerrë Qeveria.

Për më keq, kjo gjykatë tani e bartë kompetencën juridiko-kushtetuese, të njohur edhe në praktikën dhe teorinë gjyqësore që statusin e lëndëve dhe konstatimin formal të tyre ta bartë në qeveri. Gjykata Kushtetuese sot ia barti kompetencën e vlerësimit të statusit të propozimeve kushtetuese, se kur një çështje ka qenë apo jo e gjykuar. Qeveria sot është sufleri i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ajo aktruese në një monolog mashtrues.

21 shtator 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo