DEKLARATË E PËRBASHKËT E OPOZITËS MBI NGJARJET NË KUVEND
Qeveria e Republikës së Kosovës po e rrënon dhe falimenton shtetin, duke e formalizuar dhe legalizuar pushtetin e Serbisë brenda territorit dhe institucioneve të Kosovës. Ky pushtet i Serbisë është shkatërrim i Republikës, sovranitetit, integritetit territorial, e mirëqenies së qytetarëve. Askush nuk ka mandat e as të drejtë ta kthejë Serbinë në Kosovë. Këtë nuk do ta lejojmë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot u tërhoq nga pozita e tij, duke e bartur kundërligjshëm udhëheqjen e seancës te anëtari i Kryesisë. Kjo është ikje nga përgjegjësia e atij që e ka për detyrë ta mbrojë Kuvendin e Republikës. Skenari sot ishte i qartë: Kadri Veseli deshi ta nxisë konfliktin mes deputetëve të Kuvendit.
Ne protestën tonë e kemi të orientuar kundër kthimit të Serbisë përmes ‘Zajednicës’, dhe kundër njerëzve të shantazhuar në qeveri, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, të cilët po punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm për t’ia mundësuar Serbisë pushtetin në Kosovë. Prandaj këta persona arritën marrëveshje në Bruksel dhe e shkelën hierarkinë institucionale të Republikës së Kosovës, duke e shpërfillur dhe pamundësuar kështu vetë Republikën dhe qytetarët në të.
Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të kalojnë. Serbinë nuk do ta lejojmë të kthehet në Kosovë. Malit të Zi nuk do t’i falet toka e Kosovës. Qeveria duhet të tërhiqet nga marrëveshjet.
Normalizimi i punës në Kuvend është normalizim i ‘Zajednicës’, rrjedhimisht i pushtetit të Serbisë në Kosovë. Është normalizim i pafuqisë së pushtetit karshi interesave të Republikës. Pushtetarët e shantazhuar janë bartësit e këtij nënshtrimi. Qytetarët e Republikës së bashku me deputetët, që e mbajnë dinjitetshëm betimin e tyre, janë ata që do ta mbrojnë Republikën.