OPOZITA FITOI, DETYROI KOALICIONIN E “ZAJEDNICËS” QË TË FSHIHET SKUTAVE
VISAR YMERI:
“Mbrëmë për nëntë orë rresht ka zgjatur protesta e opozitës së bashkuar, brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj. Kjo protestë rezultoi me fitore të subjekteve opozitare për shkak se edhe mbrëmë, me gjithë tentativat e turpshme të pushtetit ata nuk arritën dot që ta normalizojnë “Zajednicën”, përmes tentim-normalizimit të seancave të Kuvendit. Shfrytëzoj rastin që t’i falenderojë të gjithë deputetët e opozitës, të gjithë aktivistët dhe qytetarët që protestuan mbrëmë dhe juve mediave për durueshmërinë dhe qëndrueshmërinë tuaj dje.
Për shkak të protestës së Opozitës së bashkuar deputetët e pozitës u detyruan të fshihen skutave për t’u shtirur kinse po marrin vendime. Takimi i mbajtur në restoran duke i përjashtuar një të tretën e deputetëve të Republikës, është shpërfaqje e inatit dhe dëshpërimit të këtij pushteti.
Një qeveri që e tëra vendoset në funksion të zbatimit të kërkesave dhe interesave të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, nuk do të jetë njëkohësisht as transparente e as demokratike: ata janë zaptues që merren vesh skutave, rrënues të Republikës që veprojnë natën. Dhe kështu nuk mund ta kenë të gjatë.
Protesta jonë do të vazhdojë. Kuvendi i Republikës nuk do të bëhet mekanizëm për kontrabandim të ‘Zajednicës’, e as mekanizëm për shpërlarjen e të palarave të qeverisë.”
ALBIN KURTI:
“Duke qenë të bashkuar, të vendosur dhe aktiv nuk kemi lejuar normalizimin e “Zajednicës” në Kuvendin e Republikës. Në Kosovë nuk mund të ndërtohet edhe Republika edhe “Zajednica”. Prandaj “Zajednica” do të bjerë ose bashkë me të do të bije edhe qeveria. Nuk ka zgjidhje tjetër.
Ata kanë pritur që ne do të lodhemi, ata kanë pritur që ne do të mërzitemi, por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. As në rrugët e Prishtinës dhe as në sallën e Kuvendit. Rezultat i qëndrueshmërisë sonë të pakompromis është edhe fitorja e mbërmshme.”