Gjykatat e Mustafës dhe Thaçit vazhdojnë ta përndjekin opozitën
Sot, Qeveria Mustafa-Thaçi, arrestoi edhe një deputet të opozitës. Deputeti Pal Lekaj u dërgua para prokurorisë për shkak se ka kundërshtuar, së bashku me të gjithë deputetët e opozitës, “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Ky rast, e shpërfaqë edhe njëherë hipokrizinë e Qeverisë së Kosovës. Ajo në njërën anë po do që të duket e hapur për dialog dhe qetësim të situatës ndërsa në anën tjetër nuk po e ndal represionin autoritar ndaj opozitës.
Është shumë e rëndësishme për Kosovën, që kjo Qeveri sa më parë ta kuptojë që nuk do të ketë rrugë tjetër përveçse të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi si dhe t’i lirojë të gjithë të burgosurit politikë. Sa më shumë që vonon, aq më i madh do të jetë çmimi për Kosovën.
Deputetët dhe aktivistët e burgosur politikisht duhet të lirohen menjëherë. Në të kundërtën, situata do të përkeqësohet dhe tensionohet edhe më shumë.
7 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!