25 02 2015

Gjyqi politik i zgjat paraburgimin aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot pushteti kishte urdhëruar mbajtjen e seancës gjyqësore për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të arrestuar për protestën e zhvilluar në 25 gusht 2009, kundër EULEX. Në këtë seancë u prunë para gjyqit aktivistët e arrestuar, Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Fatmir Kurtaj, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skënder Mërturi.

Për shkak të mospjesëmarrjes së dëshmitarëve, të cilët janë zyrtarë të Policisë së Kosovës, u vendos që seanca të shtyhet për datën 16 mars 2016, ndërsa për aktivistët u vendos që të mbahet e njëjta masë sigurie, pra paraburgimi. Arsyeja pse u zgjat paraburgimi për aktivistët është thjesht politike. Me mbajtjen e tyre pushteti synon të dobësojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila tashmë është pjesë e organizimit të protestave gjithëpopullore që kërkojnë të ndalin bërjen president të Hashim Thaçit dhe dorëheqjen e qeverisë antikushtetuese. Kurrë më shumë se në këtë seancë nuk është vënë re anshmëria politike e gjyqësorit.

Ky gjyq i padrejtë është i urdhëruar politikisht. Prania e EULEX në Kosovë vazhdon të ketë një natyrë koloniale, pasi EULEX nuk e njeh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Po ashtu EULEX nuk ka ndihmuar për të sjellë drejtësi në Kosovë. Përkundrazi, nën mbikëqyrjen e EULEX, ashtu si edhe më përpara në mbikëqyrjen e UNMIK, drejtësia e Kosovës ka dështuar, është korruptuar edhe më shumë, dhe nuk ka mbërritur të vërë para përgjegjësisë fajtorët për krime të mëdha të cilët janë të veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Siç raportohet nga mediet dhe nga persona të brendshëm të EULEX, korrupsioni i drejtësisë vendore nuk ka mbetur pa prekur edhe vetë EULEX-in. Pra protesta jonë e vitit 2009 ishte e drejtë. Drejtësia nuk importohet. Sistemi vendor i drejtësisë e i gjyqësorit, së bashku me vlerat politike e shoqërore që e mbështesin, mund të ndërtohen vetëm si pasojë e një ideali demokratik e atdhedashës.

Glauk Konjufca, kryesuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i arrestuar edhe pse me imunitet parlamentar, mbajti një fjalim para trupit gjykues ku tha se qëllimi kryesor i dërgimit në burg të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE është drejtpërdrejtë i lidhur me qëllimin për t’i izoluar ata prej ngjarjeve politike të rëndësishme që po ndodhin në Kosovë, dhe jo për të bërë drejtësi. “Kjo çka po e përjetojmë ne është dëshmi që shefi juaj i vërtetë nuk është Kushtetuta por kryeministri, pasi po të mos ishte kështu, ne nuk do të ishim në sallë. Arsyeja kryesore pse jemi këtu është sepse jemi kundërshtarë të Zajednicës. EULEX ka dështuar në qëllimet e veta, që ishin sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Kështu që ky rast duhet të hidhet poshtë, kjo aktakuzë e padrejtë duhet të hidhet poshtë”, tha Konjufca.

Edhe Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e mbajti një fjalim përpara trupit gjykues. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë aktivistëve, një pjesë e madhe e të cilëve janë arrestuar një ditë përpara protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit, me qëllim që të dobësohej protesta dhe që të provokohej masa. Molliqaj ka thënë se gjyqtarët dhe policia po kontrollohen me urdhëra të drejtpërdrejtë politikë, dhe se po bëhen vegël e pushtetit. “Sapo të lirohemi nga burgu do të bëjmë publike të gjitha rastet e korrupsionit dhe të marrjes së mitos që kanë bërë prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës. Këto raste janë të shumta, dhe po na i tregojnë vetë të burgosurit që po i takojmë në burgjet e ndryshme të Kosovës ku po mbahemi”.
Lëvizja VETËVENDOSJE! proteston kundër këtyre proceseve të padrejta gjyqësore, të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse përndjekje e opozitës dhe persekutim politik. Gjyqësori dhe prokuroria në një shtet të së drejtës do të duhej të merreshin me hajnat e mëdhenj dhe me korrupsionin qeveritar që po e mbyt krejt ekonominë e Kosovës. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, dhe ndaljen e përndjekjes.

25 shkurt 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo