17 03 2016

Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë

Dje, në Prishtinë, në rrugën ‘Fehmi Agani’, në afërsi të selisë së VETËVENDOSJE!-s, është kidnapuar dhe dëbuar nga Kosova, Boiken Abazi, anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Boikeni këtë funksion e ka tash një vit, ndërkaq nga viti 2011 deri në vitin 2015 ai ka qenë koordinator i sekretariateve të Lëvizjes sonë. Boiken Abazi nuk ka qenë një qytetar privat i Shqipërisë në Kosovë. Ai ka qenë i ftuar nga Lëvizja jonë në Kosovë.

“Kidnapimi dhe dëbimi i Boikenit është krim i këtij regjimi të korruptuar ndaj Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Për këtë kidnapim dhe dëbim ne e mbajmë përgjegjës Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministrin e tij të brendshëm, Skënder Hyseni dhe Drejtorin e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Valon Krasniqi, nga profili i të cilit në Facebook duket qartë se është militant i PDK-së. Këto janë taktika të shtetit policor kundër opozitës tonë demokratike, këto janë metoda fashiste kundër lëvizjes sonë social-demokrate, këto janë tendenca anti-shqiptare kundër frymës sonë kombëtare”, theksoi deputeti Albin Kurti në konferencën e sotme për media. Kurti më tej tregoi se në momentin kur ka kuptuar se policë me rroba civile e kanë kidnapuar Boikenin pa i treguar as urdhërarrest e madje asnjë dokument të vetëm, ky e ka thirrur ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës, z.Bruno Rexhaj. “U thashë të ndërhyjnë menjëherë dhe të shkojnë te policia sepse siguria e Boikenit është rrezikuar, kurse nëse ata që e morën janë policë, atëherë mund ta çojnë në burg ose mund ta dëbojnë jashtë Kosovës. Nuk e di a kanë shkuar, porse disi m’u duk se ata nuk besonin që mund të ndodhin gjëra të këtilla”, u shpreh Kurti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aida Dërguti, tha se ajo bashkë me Boiken Abazin, më 3 shkurt janë kthyer nga Tirana në Prishtinë, pas homazheve për nderë të akademikut Kristo Frashëri. “Në orët e pasdites jemi kthyer në Prishtinë, përmes pikës kufitare të Morinës, me ç’rast kemi paraqitur dokumente tek zyrtarët e policisë dhe gjithçka ka qenë në rregull. Pse Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar Boikenin kur është kthyer në Kosovë nga Tirana, ky nuk është faji i Boikenit por i policisë. Në arsyetimin e policisë thuhet se prania e Boikenit “paraqet kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”. Si bëhet që kjo nuk thuhet për Vuçiqin, Dikoviqin, Daçiqin e Gjuriqin por thuhet për Boiken Abazin?! Për më tepër, Boikeni nuk është kontaktuar kurrë as me shkrim, as me gojë e as me telefon nga policia për t’u paraqitur në polici për shkeljet e aluduara. Pra, nuk ka patur as fletëthirrje më herët edhe pse aktiviteti i Boikenit është publik dhe ai nuk është fshehur asnjëherë. Boikenit i është mohuar e drejta për avokat, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Boikenit i është mohuar e drejta për të njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë edhe pse këtë gjë e ka kërkuar nga Policia”, tha ndër të tjera Dërguti.

Nga vendimi mësojmë se Boikeni qenka shpallur i rrezikshëm dhe mandej policia e lë të lirë në zonën neutrale të kufirit Kosovë – Shqipëri dhe nuk i ka lajmëruar autoritet kufitare të Republikës së Shqipërisë. Boikeni ka ecur vetëm dhe i pashoqëruar drejt kufirit të Republikës së Shqipërisë. Ky deportim i Boikenit nga policia e Kosovës është edhe skandal diplomatik. Ai pason ndaljen e qytetarëve nga Tirana më 9 janar dhe me 17 shkurt 2016, kur ata nuk u lejuan ta kalojnë kufirin dhe të na bashkohen në protestat më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Ne kërkojmë ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama e të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë. Kufiri midis Kosovës e Shqipërisë është kufi i Jugosllavisë e i Serbisë.

17 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo