18 04 2016

REAGIM LIDHUR ME DOKUMENTARIN “SHTABI I MILIONERËVE”

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj për një raportim tendencioz në dokumentarin “Shtabi i Milionerëve” (pjesa e dytë), të prodhuar nga Gazeta Express.

Në atë dokumentar thuhet që Lëvizja VETËVENDOSJE! financohet nga bizneset e familjes Selimi dhe përmendet si “argument” fakti që një kompani me emrin DRINI gjoja ka financuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Pohimet në këtë dokumentar janë shpifje dhe denoncimi ynë ndaj këtij reportazhi bazohet në dy të vërteta:

1. Kompania DRINI nuk është kompani e familjes Selimi,

2. Kjo kompani ka bërë donacion për VETËVENDOSJE!-n, një herë të vetme, në vitin 2012, në vlerë prej 100 euro dhe nga ky fakt nuk mund të pohohet që kjo kompani “ka financuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!”. Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekt që vazhdimisht bënë thirrje për donacione nga qytetarët e Republikës. Edhe ky donacion ka ardhur në këtë formë, përmes llogarisë bankare.

Përfolja e VETËVENDOSJE!-s në dokumentarin në fjalë është jashtëzakonisht tendencioze dhe qëllimkeqe. Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më transparent sa i përket financimit të saj dhe shpenzimit të mjeteve të veta. Këtë e pohojnë edhe organizatat e shoqërisë civile që merren me monitorimin e financave të subjekteve politike.

Kërkojmë nga Gazeta Express që të tërheq një lajm të tillë dhe të jap sqarim e kërkojë falje për këtë përfolje të padrejtë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në të kundërtën, ne nuk do të kemi tjetër zgjidhje përveçse t’u drejtohemi organeve gjyqësore.

18 prill 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo