18 11 2016

MAShT-i duhet të merret me politikat e arsimit e jo me policimin e nxënësve e mësimdhënësve

Ministria e Arsimit ka lëshuar një komunikatë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! plot me pasaktësi. Prentendimi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar protestë të nxënësve të Prishtinës është i pavërtetë. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është organizatore e kësaj proteste dhe rrjedhimisht nuk ka bërë kurrfarë paralajmërimi për të. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sigurisht që mund të marrin pjesë në protestat me të cilat pajtohen dhe kjo është një prej tyre. Kërkesa për drejtësi për Astritin është kërkesë e të gjithë qytetarëve, e jo vetëm e VETËVENDOSJE!-s. Por jo edhe e shtetit të kapur e as e kapësve të shtetit.

Ministria e Arsimit e cila e akuzon padrejtësisht VETËVENDOSJE!-n për instrumentalizim të nxënësve, po e bën të njëjtën gjë vetë. Thirrja që ata të mos dalin në protestë është përpjekje për instrumentalizim direkt të tyre. Madje, Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk ka lëshuar ndonjë komunikatë siç ka bërë ky institucion i dobët i qeverisë.

MASHT-i që nuk e ka thënë asnjë fjalë për vdekjen e studentit Astrit Dehari që ka vdekur 13 ditë më parë në burg, konfirmoi në këtë rast se është vegël e keqpërdorur nga Qeveria duke tejkaluar kompetencat e veta kur u bën thirrje qytetarëve që të mos dalin në protestë. MAShT-i duhet të merret me politikat e arsimit e jo me policimin e nxënësve e mësimdhënësve. Madje, ky është edhe ofendim i rëndë që u bëhet qytetarëve duke i konsideruar ata si të manipulueshëm. Ky institucion në asnjë mënyrë nuk guxon t’u bëjë thirrje: nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe drejtorëve të shkollave që të mos dalin në protesta. Ky është presion i hapur, shkelje elementare e të drejtave themelore dhe për më keq është pozicionim në anën e padrejtësisë. Këto janë shenja të shteteve autoritare.

Kjo komunikatë e MASHT-it nuk tregon asgjë tjetër, vetëm se kjo ministri është një instrument i drejtuar nga njerëz të paditur, pjesë të një Qeverie pa asnjë element të drejtësisë dhe që pas rastit të vdekjes së dhunshme të Astritit po tregohen edhe pa ndjeshmëri.

Kontribo