Dështimet në sektorin e energjisë – dështime prej korrupsionit e privatizimit
Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tryezën me temën “Situata në sektorin energjetik- prodhim, çmimi dhe investimet afatgjata”.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Visar Ymeri u ndal tek gjendja e rëndë në sektorin energjetik, me fokus të veçantë rrezikun e sigurisë së prodhimit vendas të energjisë elektrike për shkak të problemeve me thëngjillin, rritjen e vazhdueshme të çmimit të rrymës dhe funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE). Ai tha se përkundër burime të mjaftueshme që i kemi, pushteti në Kosovë ka dështuar që të krijojë stabilitet dhe qëndrueshmëri në sektorin energjetik. “Prej se është shpallur Kosova e pavarur ka një tendencë të shtuar privatizuese për sa i përket sektorit të energjetikës, dhe kjo e ka ndikuar drejtpërdrejt edhe funksionimin e institucioneve që janë të ndërlidhura dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejt në këtë sektor, e më së shumti këtu ZRrE-në”, theksoi Ymeri, duke treguar se si KEDS/KESCO aktualisht ka për qëllim maksimalizimin e profitit e jo furnizimin me energji elektrike për qytetarët, si dhe duke kujtuar se pas privatizimit kemi pasur tri momente të rritjes së çmimit të rrymës.
Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, prof. Naim Hoxha, tha se KEDS/KESCO përveç se nuk ka realizuar premtimet e dhëna, ka larguar njerëz nga puna dhe vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen në sektorin e energjetikës.“Zhvillimet që po shkojnë kah privatizimi komplet i energjisë elektrike nuk janë në drejtim të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Mungesa e një strategjie të përgjithshme zhvillimore të Kosovës, e pamundëson edhe zgjidhjen e problemit të energjetikës”, tha veç tjerash profesori Hoxha.
Nga ana tjetër, Nagip Krasniqi tha se ka pasur vetëm qasje ad hoc në planifikimin e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, si dhe tregoi mbi problemet në lidhje me projektin për termocentralin “Kosova e Re”, probleme këto që fillojnë qysh në fazën e tenderimit. Krasniqi tha se nëse qasja ndaj sektorit energjetik vazhdon të jetë e tillë, së shpejti Kosova do të ketë kolaps energjetik, si dhe do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në tarifa të energjisë elektrike, krejt kjo si pasojë e importit të madh e në pamundësi të ndërtimit të kapaciteteve për prodhim të energjisë elektrike.
Në fjalën e tij, Visar Azemi nga Drejtues i Konsorciumit Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), tha se ndër problemet kryesore të sektorit të energjisë është mungesa e prioriteteve në këtë fushë, dhe problemi i energjisë nuk zgjidhet me ndërtimin e një termocentrali të ri.
Kritika në adresë të ZRRE-së dhe privatizimit të KEDS-it pati profesori Ruzhdi Sefa, funksionimi i të cilave tha se varet kryekëput nga interesat e qarqeve të pushtetit dhe përreth pushtetit, teksa Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) theksoi si problem humbjen e energjisë, duke shtuar se problemi kryesor këtu është vjedhja e energjisë. Ai theksoi se 16.65% ka humbje komerciale të rrymës, ku 12.65% e kësaj është nga vjedhja, kurse 4% është shifër nga mospagesa e rrymës prej qytetarëve në Komunat me shumicë serbe.
Deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se në Kosovë për një kohë të gjatë ka pasur shpërfillje të vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe natyrore. Ajo tha se Kosovës i ka kushtuar shtrenjtë procesi i privatizimit në sektorin e energjisë ndër të tjera me humbjen e vendeve të punës, si dhe tha se abuzimi i burimeve natyrore bëhet me qëllime dhe interesa të pushtetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit.
Komiteti për Energjitikë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vijojë adresimin e çështjeve që lidhen me mospërmbushjen e kontratës nga KEDS/KESCO, rritjen e padrejtë dhe të jashtëligjshme të energjisë, faturimin e “humbjeve komerciale” (vjedhjeve dhe mospagimin e komunave me shumicë serbe) mbi buxhetin edhe ashtu të paktën të familjeve që paguajnë rregullisht energjinë elektrike, si dhe problemet e jashtëzakonshme me gjenerimin e energjisë elektrike, burimi i të cilave është kryesisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe qeverisë në tërësi.
Çështjet e energjitikës janë një betejë për të cilën kërkohet solidaritet dhe rezistencë nga të gjitha qarqet shoqërore, nga punëtorët deri të profesorët universitarë. Ne do të përpiqemi që ta nxisim këtë solidaritet dhe këtë rezistencë.
20 prill 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Komiteti për Energjetikë