Edhe Partia Socialiste e Francës mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet 2017
Pas mbështetjes për zgjedhjet parlamentare 2017 që Lëvizja VETËVENDOSJE! mori këtë javë nga Internacionalja Socialiste, grupacioni më i madh ndërkombëtar i partive social demokrate, sot Kryetari Visar Ymeri ka pranuar edhe një letër mbështetëse nga Partia Socialiste e Francës. Kjo letër është dërguar nga Sekretari Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Partisë Socialiste të Francës, Maurice Braud.
Gjeni në vijim letrën e plotë:
PARTIA SOCIALISTE E FRANCËS
9 qershor 2017
Visar Ymeri,
Kryetar, Lëvizja VETËVENDOSJE!,
Kosovë
I dashur shok,
Më 11 qershor 2017, në Republikën e Kosovës do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në emër të Partisë Socialiste, dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia për suksesin e kandidatëve të partisë tuaj, Lëvizjes Vetëvendosje.
Që prej fundit të konfliktit, në qershor të vitit 1999, e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, vendi po kalon një fazë të gjatë tranzicioni për ndërtimin e institucioneve dhe të sovranitetit të tij. Partia Socialiste është e vetëdijshme për rëndësinë e punës që keni si përgjegjësi për të mbrojtur e plotësuar arritjet dhe për ta bërë Kosovën një Shtet plotësisht funksional, të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të integruar në rajon.
Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju shprehur besimin tonë që pas disa vitesh ndryshimesh e transformimesh, partia juaj është tashmë alternativa kryesore për të ushtruar përgjegjësitë e për ta drejtuar Kosovën kah drejtësia sociale, zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe integrimi dinjitoz i të gjitha minoriteteve.
Jam po ashtu i bindur që Lëvizja juaj do të dijë të japë prova të pjekurisë si konfirmim që është një parti progresive, moderne dhe pro-evropiane, e hapur sidomos ndaj dialogut me të gjitha Shtetet fqinje.
I dashur shok, dalë prej shoqërisë civile, partia juaj ka bërë një rrugëtim të gjatë. Është e pakontestueshme që ka arritur të konsolidojë rreth vetes një mbështetje të gjerë të të gjitha shtresave të shoqërisë, në veçanti falë dinamizmit të rinisë. Partia Socialiste ju përsërit mbështetjen e saj, në emër të shpresave që ju keni bërë të lindin dhe perspektivës që ju propozoni për një Kosovë më në fund demokratike dhe të shqetësuar për interesin e të gjithë qytetarëve të saj.
Vëllazërisht,
Maurice BRAUD
Sekretar Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare