29 06 2017

Takim në Bruksel me eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, është pritur në takim edhe nga eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein. Znj. Tanja Fajon është anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhënie me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa z. Knut Fleckenstein është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Të dy bashkë janë pëfaqësues të lartë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.

Në këtë takim u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re bazuar mbi këto rezultate. Delegacioni i njohu eurodeputetët me prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me faktin që tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i votuar në Kosovë me 32 deputetë në Kuvendin e ardhshëm. Eurodeputetët e përgëzuan delegacionin për këto rezultate duke diskutuar gjithashtu edhe për një bashkëpunim më të afërt dhe më intensiv mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe social-demokratëve të Parlamentit Evropian.

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojë edhe sot takimet në Bruksel.

29 qershor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo