SEANCA KONSTITUTIVE, PJESË E PAZAREVE PËR ZGJEDHJET LOKALE
Koalicioni PAN është duke e bllokuar Kuvendin. Kjo është tashmë e qartë për publikun dhe nuk ka nevojë për interpretime të tjera qofshin ato dhe nga Gjykata Kushtetuese.
Sot, koalicioni i udhëhequr nga PDK kërkoi që vazhdimi i seancës themeluese të mbahet më 24 gusht. Kësisoj, e shtyu edhe për një javë kërkesën e vet të mëparshme – që seanca e radhës të mbahej këtë të enjte ose të premte, me 17-18 gusht.
Në konsultën e sotme, përfaqësuesit e koalicionit PAN sërish kërkuan që deputetët e Kuvendit ta votojnë kandidatin e tyre, Kadri Veselin. Kësisoj dëshmuan se nuk e kanë shumicën dhe e lanë të hapur mundësinë që sërish ta braktisin seancën nëse Veseli nuk votohet.
Përveç Listës Serbe, partner kryesor i koalicionit PAN, sot u shpërfaq edhe roli i dëmshëm i disa përfaqësuesve të komuniteteve të tjera të cilët u pajtuan me taktikën e zvarritjes së mëtutjeshme në themelim të institucioneve qeverisëse. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e brengosur për pozicionimin e tillë të deputetëve minoritarë të cilët kësisoj e rënduan tutje pozitën e ndjeshme të komuniteteve të tyre në këtë periudhë të krizës politike dhe shantazhit institucional.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i kupton takimet e sotme ndër-partiake si taktizim të palëve në prag të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë. Insistimi i përfaqësuesve të PAN për datën 24 gusht ndërlidhet me afatin e fundit për dorëzim të listave të kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë kuvendesh komunale, e që skadon më 22 gusht.
Tashmë është e qartë që PAN synon mbajtjen peng të jetës institucionale derisa të përmbyllen pazaret e kandidaturave dhe përkrahjeve elektorale të nivelit lokal. Ndihmesë kryesore në këtë qëllim të ulët e ka Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014.
Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se ky Aktgjykim përbën njërin nga vendimet më të dëmshme politike në historinë e pasluftës në Kosovë. Ai ishte dizenjuar si agresion i drejtpërdrejtë mbi sistemin e brishtë demokratik dhe synon monopolizimin e pushtetit qeveritar në vend nga një grup i vetëm politik, i përfaqësuar sot nga koalicioni PAN.
Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se 24 gushti nuk është zgjidhje, por vetëm zvarritje e mëtutjeshme. Seanca e caktuar është pretekst i koalicionit PAN për ta ripërtëritur krizën, duke shantazhuar Kuvendin me votim të Veselit ose me braktisje të sërishme të seancës.