02 11 2017

RASTI GJYQËSOR I GRUPIT TË KUMANOVËS ËSHTË I MONTUAR

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër “Grupi i Kumanovës” si të motivuar politikisht dhe si trajtim jonjerëzor e degradues në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.

E kaluara në Maqedoni ka dëshmuar se shumë raste dhe procese gjyqësore kundër shqiptarëve kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë. Deri më tani, Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë përgjëgjësitë e saj për të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë montuar këto raste. Në vend të kësaj, në territorin nën sovranitetin e qeverisjes së saj, po vazhdojnë të ndodhin raste dhe procese të diskredituara për nga profesionalizmi, pavarësia politike dhe paanshmëria e pushteteve policore dhe gjyqësore.

Të panjohurat e ngjarjes së Lagjes së Trimave, trajtimi i të burgosurëve, procesi gjyqësor dhe së fundi dënimi i shtatë të akuzuarve me burg të përjetshëm dhe me gjithsej 746 vjet burg, prej të cilëve shumica janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë referencat më të mira për ta inicuar urgjentisht fillimin e një hetimi të pavarur ndërkombëtar lidhur me ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Vetëm duke e hetuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme tërë ngjarjen do të mund të sillet drejtësia për të gjithë personat e përfshirë, në një mënyrë apo tjetër, në ngjarjen e padrejtë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, prapavijat e të cilit proces të montuar i di vetë pushteti dhe sigurimi shtetëror maqedon.

Ftojmë gjithashtu Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen politikisht dhe në rafshin diplomatik për një gjykim të drejtë dhe për respektim të të drejtave të njeriut për rastin e Lagjes së trimave në Kumanovë.

Kontribo