03 02 2018

Vendimi për ngritje pagash në Qeveri duhet të zhbëhet

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur një konferencë në lidhje me vendimin e paligjshëm për ngritjen e pagave. Në këtë konferencë, deputetja Albulena Haxhiu rikujtoi se më 20 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, në mbledhjen e Qeverisë, me anë të një vendimi sa të kundërligjshëm, kryeministri dhe ministrat ia rritën pagat vetes afër 100 përqind. Ndërkohë kjo Qeveri rriti pagat me vetëm 4 përqind për të punësuarit dhe refuzoi propozimin e Këshilli Ekonomik social që paga minimale nga 170 euro, të ngrihet në 250 euro.

Vendimin e paligjshëm për ngritjen e pagave, një ditë pas, e kemi dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasi që kabineti qeveritar nuk kishte shmangur konfliktin e interesit siç e parasheh ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, madje duke votuar për t’i sjellë vetes përfitime kishin konsumuar vepër penale të konfliktit të interesit.

Agjencia Kundër Korrupsionit, të premten e kaluar kishte dhënë opinionin e tij se vendimi në fjalë është i kundërligjshëm dhe ne i bëjmë thirrje këtij institucioni të procedojë kallëzimet penale sa më parë.

Po ashtu, vendimin në fjalë e kemi dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ky vendim përpos që është vepër penale, është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. I vetmi autoritet legjitim për të ngritur pagat është Kuvendi, përmes ligjit për buxhetin dhe ligjin për pagat.

Por po ashtu ky vendim është kundërkushtetues sepse është në shpërputhje me gjendjen sociale dhe ekonomike.

Po ashtu, të hënën në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, si pikë e rendit të ditës është interpelanca e thirrur nga grupi ynë parlamentar lidhur me vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë dhe çështjet që lidhen me pagën minimale dhe lartësinë e pagesës për skemën sociale.

Ne presim që sa më parë kryesia e kuvendit ta caktojë seancën ku mbahet interpelanca e kërkuar nga ne. Shumëkush sot në Kosovë pret prej institucioneve që të adresojë problemet e tyre të paadresuara prej të paktën dy dekadave.

Qeveria nuk kishte plan të qartë kur propozoi buxhetin për vitin 2018 sa i takon shtresave me nevoja më të mëdha. Ndaj vendimet ad hoc dhe për interes të vetëm një shtrese zyrtarësh tregojnë për improvizime larg shumë nga ndonjë program zhvillimor.

Vendimi i kundërligjshëm i Qeverisë Haradinaj, nuk do të duhej të pezullohej por të shfuqizohej. Deklarimet e Haradinajt se nga ky vendim do të preken gjyqtarët e prokurorët, nuk është i sinqertë. Buxheti për vitin 2018 është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar shtrohet pyetja se nëse qeveria Haradinaj paska qenë e interesuar të rrisë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve atëherë pse këtë rritje nuk e paraqiti në mënyrë krejt të ligjshme nëpërmjet ligjit për buxhetin i cili kaloi pak ditë para se të votohej ky vendim në Qeveri?

Sa i përket kësaj çështje, ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Aktualisht paga e prokurorit është 1000 euro ndërsa paga e gjyqtarit 1200 kjo shkon duke u ngritur për Apelin dhe Supremen dhe Prokurorinë speciale. Ata që kanë nevojë për ngritjen e pagave janë stafi civil i institucioneve të drejtësisë të cilët kanë paga nën 400 euro.

Sipas informacioneve që i kemi, në kohën kur është marrë ky vendim i kundërligjshëm, qeveria Haradinaj nuk ka qenë në dijeni që me automatizëm do të ngrihen pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Këtë pohim timin e mbështes duke ia shtuar këtu deklaratat skandaloze të kryeministrit Haradinaj kur u pyet për rritjen e pagës, të njëjtën e arsyetoi me nevojën e blerjes së këmishave dhe kollareve dhe tha që një kryeministër që se ka pagën e lartë do të detyrohet të korruptohet, në atë kohë s’foli për prokurorët dhe gjyqtarët!

Çka mendon kjo qeveri për mjekët që paguhen rreth 600 euro, për mësuesit, për inxhinierët, për punëtorët kudo në sistemin publik të cilët as kanë vetura zyrtare, as beneficionet e zyrtarëve të lartë e as sigurim shëndetësor.

Kjo qeveri e nisi punën me caktimin e një numri tepër të lartë të ministrave. E vijoi duke caktuar një numër rekord zëvendësmsministrash dhe e mbështeti këtë politikë krejtësisht të gabuar me vendimin për rritjen e pagave pikërisht të këtij numri të madh zyrtarësh.

Kontribo