Nënshkrimi i dyfishtë i Thaçit nuk e ka ndryshuar demarkacionin
Versioni i demarkacionit që u është sjellë deputetëve për votim nuk ka ndryshuar nga ai i Murat Mehës dhe as nuk po bëhet që të na i liberalizojë vizat. Ai është ende versioni i Murat Mehës. Për ta shpjeguar këtë dhe për të bërë thirrje për mosvotim të tij, në konferencë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dalur kryetari Albin Kurti dhe drejtuesi i grupit parlamentar Glauk Konjufca.
“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi po keqinterpretohet si çmim për liberalizimin e vizave. Mirëpo, ka aq shumë procedura të brendshme në Bashimin Evropian (BE) për liberalizim të vizave: Komisioni Evropian, pastaj Këshilli i Bashkimit Evropian, pastaj Parlamenti Evropian, pastaj ministrat e drejtësisë dhe të brendshëm të vendeve anëtare. Pse gjithë kjo nguti e Thaçit dhe Haradinajt me demarkacionin? Liberalizimi nuk do të vie këtë të premte, as javën e ardhshme, as muajin e ardhshëm e as në stinën e ardhshme. Pse po nxitohen?”, tha Kurti gjatë fjalës së tij.
Ata nuk e kanë për liberalizim të vizave sepse nuk e kanë për qytetarët. Po ta kishin për qytetarët nuk do të pasuroheshin për vete e populli të ngelej gjithnjë e më i varfër, nuk do t’i jepnin pjesë të shtetit të Kosovës Serbisë e pjesë të territorit të Kosovës Malit të Zi. Po ta kishin për qytetarët nuk do t’i bënin 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra e mbi 70 zëvendës-ministra e nuk do t’ia dyfishonin pagat vetes. Jo, këta nuk e kanë për qytetarët, por e kanë për vete. E kanë për karrigat e tyre që po ju lëkunden e jo për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Gjithashtu Kurti theksoi se meqë janë dy kritere për liberalizim, atëherë duhet të merremi më shumë me kriterin e parë, që është luftimi i korrupsionit.
“Deklarata Thaçi-Vujanoviq nuk sjell gjë të rë. Thaçi e ka nënshkruar dy herë të njëjtën çështje dhe të njëjtën gjë. Prandaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Ky është ratifikim i delimitimit, pra i ndryshimit të kufirit, që ka bërë Komisioni i Murat Mehës”, tha Konjufca.
Konjufca si drejtues i Grupit Parlamentar sqaroi se deputetët e Lëvizjes përveç që nuk do ta votojnë nesër demarkacionin, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit ne do ta kundërshtojmë atë dhe porsa ta shohim mundësinë do ta pamundësojmë kuorumin.
Çfarë, duhet bërë është që së pari do të duhej që Prokuroria e shtetit ta hetonte ish Komisionin Meha duke u bazuar në të gjeturat e Komisionit Bulliqi. Së dyti, Kuvendi i Kosovës duhet ta diskutojë raportin vlerësues të Komisionit Bulliqi dhe ta themelojë një Komision Hetimor Parlamentar mbi Demarkacionin e këtillë, përkatësisht të hetohet marrëveshja e 26 gushtit 2015 në Vjenë dhe Deklarata e Presidentëve e 16 shkurtit 2018 në Podgoricë.
Ai shtoi se Qeveria nuk i ka numrat pa Listën Serbe. Kurse Lista Serbe po e kërkon ‘Zajednicën’ e Serbisë para se ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Pra, kjo Qeveri duhet t’i falë shtet Serbisë në mënyrë që t’i falë territor të Kosovës Malit të Zi. Qeveria e këtillë duhet të japë dorëheqje.