01 03 2018

Kryeministri të raportojë urgjent në Kuvend për përjashtimin e Agjencisë së Akredimit nga EQAR

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Agjencinë e Akreditimit. Lidhur me situatën e përkeqësuar në këtë institucion shumë të rëndësishëm dhe veprimet e papërgjeshmë qeveritare foli deputetja Arbërie Nagavci. Ajo njoftoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka iniciuar Seancë të Jashtëzakonshme parlamentare dhe po ashtu ka kërkuar në komisionin përktatës raportim urgjent të Ministrit të Arsimit dhe Teknologjisë.

Deputetja tha se vendimi për të përjashtuar Agjensinë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) mund të ketë pasoja të mëdha dhe të rënda për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Ky vendim i marrë me 27 shkurt vjen pas Vendimit të Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie, vendim ky i marrë me 25 shtator 2017, me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj.Është tërësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë për shkak të betejave partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit. Duhet të mos harrohet fakti se shkarkimi i Këshillit është bërë për arsye krejtësisht partiake dhe kjo është tashmë një praktikë e zakonshme në qeveritë e vendit. Si Këshilli që u shkarkua, ashtu dhe Këshilli ri i propozuar janë persona partiakë të emëruar për interesa të grupeve të ngushta. Beteja për pushtet e kontroll të arsimit të lartë publik e privat në mes të këtyre grupeve ka sjellë në këtë situatë. Agjencia e Akreditimit ka mbetur pa organe drejtuese për disa muaj dhe si rrjedhojë me institucione të arsimit të lartë të paakredituara, pra praktikisht të pakontrolluara sa i takon cilësisë.

Një element i rëndësishëm në marrjen e vendimit për përjashtimin e Agjencisë tonë të Akreditimit ka edhe ndikimi i letrës së Kryetarit të Këshillit të kaluar, tashmë i shkarkuar nga qeveria aktuale, Zot. Blerim Rexha, person po ashtu partiak, nga rradhët e PDK-së. Edhe ankuesi apo i shkarkuari vjen nga një eksperiencë e keqpërdorjes së Këshillit të Cilësisë. Ka jo pak raste kur ishin pezulluar akreditime të programeve, për t’i rikthyer të njëjtat brenda ditësh dhe javësh dhe poashtu regjistrime të studentëve përtej kuotave të caktuara. Përgjigja që erdhi nga Qeveria aktuale ndaj shkeljeve të këshillit të kaluar nuk ishte hetimi, shqyrtimi, vendosja para përgjegjësisë për këto shkelje, por shkarkimi i plotë i të gjithë anëtarëve, mungesa e plotë e transparencës dhe mos raportimi në Kuvend sipas përgjegjësisë ligjore si dhe propozimi i një grupi tjetër po aq partiak sa ky i shkarkuari. Kujdesi dhe masat ndaj veprimeve të Këshilit të cilësisë do të duhej të vinin shumë kohë më parë, dhe atë për akreditime të kundërligjshme dhe krim të organizuar, por situata erdhi ashtu që për inate personale dhe grupore, për direktiva partiake, të vendosen studentët tanë në rrezik të ballafaqimit me sfida të shumta rreth njohjes së diplomave të tyre.

Kjo që po ndodh është në fakt një betejë në mes të partive në pushtet për të favorizuar dhe kontrolluar bartësit e arsimit të lartë në vend. Me një qeveri të tillë të papërgjegjshme jo vetëm se nuk mund të pritet liberalizimi i vizave, por edhe ata apo ato studente që mund të gjejnë vetë mënyrën e financimit, të sigurojnë bursa për studime apo çfarëdo zhvillimi profesional jashtë vendit, do të kenë vështirësi të mëdha. Përgjegjësia është e institucioneve të vendit, në rradhë të parë e Qeveris së Kosovës , konkretisht Zot. Haradinaj e sigurisht edhe e Ministrit të Arsimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron si shumë shqetësuese përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe MASHT që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.
Masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje:

Duhet të përgatitet ankesa brenda afatit prej nëntëdhjetë ditëve, por paraprakisht duhet të kryhen të gjitha obligimet ligjore si raportimi në Kuvend, prezantimi i gjetjeve për punën e bordit të mëparshëm, transparencë e plotë dhe për më shumë propozimi i anëtarëve të rinj që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht e me integritet personal.
E pas kësaj duhen inicuar edhe ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Përndryshe, bazuar në papërgjegjësinë e plotë të institucioneve tona, është shumë e mundur që AKA të përjashtohet edhe nga Rrjeti i Agjensive për Sigurimin e Cilësisë që është edhe themeluesi kryesorë i Regjistrit. Ndaj Qeveria ta rikuperojë sa më parë këtë situatë ose Ministri Bytyqi nuk ka ccfarë bën më në postin që ia ka ndarë koalicioni qeverisës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Grupi parlamentar & Komiteti për Arsim dhe Shkencë

Kontribo