08 03 2018

Mbi dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga Lëvizja

Morëm vesh, jo pa zhgënjim, dorëheqjen prej organizatës sonë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Ne e falënderojmë Shpend Ahmetin për kontributet në fitoret tona, dhe natyrisht që presim nga ai hiç më pak se realizimin e premtimeve që ka dhënë në emër të Lëvizjes, në 2013 por edhe në 2017. Mbështetjen e Lëvizjes besojmë se Shpendi e ka ndjerë në të gjitha betejat politike, por edhe në Asamblenë Komunale, si dhe nga aktivistët e angazhuar në drejtoritë me vështirësi e rrezikshmëri të lartë, por edhe në fushatë, ku qindra vullnetarë, deputetë, anëtarë të kryesisë e figura publike janë angazhuar që të krijojnë mbështetje për Shpend Ahmetin në çdo fshat e çdo lagje.

Fatkeqësisht Shpendi ka zgjedhur që megjithatë të mbaj anën e atyre personave që për mbi një vit e gjysëm punojnë brenda Lëvizjes, kundër Lëvizjes, persona të cilët në valën më të madhe të angazhimit për fushatë e për balotazh, e kalonin kohën nëpër takime informale për prapaskena, duke u marrë me thashetheme përçarëse e duke pritur të kryheshin zgjedhjet për të dhënë dorëheqjen.

Shpend Ahmeti ka qenë një prej figurave më të respektuara prej Lëvizjes, dhe kontributor i madh në disa rezultate të mira elektorale. Por, si të gjithë ne, edhe ai ka fituar nga Lëvizja më shumë se ç’i ka dhënë Lëvizjes, e këtë e ka pohuar edhe vetë, në jo pak fjalime publike.

Shpend Ahmeti ka patur të gjitha mundësitë që secilin shqetësim të vetin apo edhe kërkesë specifike ta sjellë në organet e Lëvizjes, në Kryesi e në Këshill të Përgjithshëm. Ai vazhdimisht ka gëzuar mirëkuptim dhe mbështetje për kërkesat e veta, apo për ndonjë dyshim në qëllime e metoda, siç po thotë vetëm tani, nëpërmjet mediave. Mirëpo, ai ka patur më shumë mungesa sesa pjesëmarrje në mbledhjet e Kryesisë që janë mbajtur pas zgjedhjeve lokale, duke treguar për Lëvizjen një interes më të ulët sesa para se të fitonte mandatin e dytë. Përvetësimi i privilegjeve duke u distancuar nga obligimet është apetit tejet afatshkurtër me dobishmëri jetëshkurtër.

Sakrificat, puna e palodhur e aktivistëve dhe vullnetarëve dhe buxheti i ndarë për zgjedhjet lokale në Prishtinë nuk ka qenë për ta patur kryetarin vetëm 100 ditë, por për katër vjet. Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku në fakt fituam. Kjo është gjendje e pazakontë dhe e padrejtë për votuesit, mbështetësit dhe aktivistët e Lëvizjes.

Megjithatë ne e dimë se Lëvizja ka kaluar sfida më të mëdha se kjo, dhe bashkë me mbështetjen e qytetarëve Lëvizja do t’i prijë ndryshimeve të domosdoshme e të shumëpritura në Kosovë. Goditjet mbi Lëvizjen nuk i ndihmojnë Kosovës por as nuk e zmbrapsin Lëvizjen në përballjen me regjimin. Ne kalitemi nëpër sfida. Dhe, fitojmë. Dhe, do të fitojmë.

Kontribo