2 vjet pa Bacën Adem
Te varri i Adem Demaçit, në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, para trupit e në nder të veprës madhështore të tij, u përkulën z. Glauk Konjufca, znj. Albulena Haxhiu, z. Arben Vitia, znj. Fitore Pacolli dhe z. Xhelal Sveçla.
Baca ra tre herë në burg e secilën herë dilte po aq i vendosur sa kur arrestohej. Herën e parë u mbajtë 3 vjet (1958-1961), të dytën herë 10 vjet (1964-1974) e të tretën herë 15 vjet (1975-1990). Herën e parë hov arrestimit të tij i dha romani “Gjarpijt e Gjakut”, dy herët e tjera nëpër gjykata e akuzuan sepse ka dashur të bëjë organizimin e shqiptarëve. Por, ai kishte vendosur të mos thyhej. Arrestimin e tij të fundit e sheh si mundësi që të hijeshohet puna e të bëhet më serioze sesa që është. Duke bërë kështu që shumë të rinj të motivohen nga kjo rezistencë e rrallë.
Por, ai nuk mendonte asnjëherë se ka bërë mjaft për çështjen shqiptare. Dalja e tij nga burgu është mundësi shtesë për të vazhduar punën në çlirimin e shqiptarëve. Shumëçka do të ndodhë brenda këtyre viteve. Shpallja e Deklaratës Kushtetuese; pajtimi i gjaqeve; shumë protesta; mësimet nëpër shtëpi; votimet në Referendumin për Pavarësi; zgjedhjet parlamentare e presidenciale; greva e punëtorëve të “Rilindjes”; krijimi i Partisë Parlamentare të Kosovës; Protesta e Studentëve; dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; sërish zgjedhjet parlamentare e presidenciale;… Në të gjitha këto figura e roli i Adem Demaçit është i shumë madh.
Kujtimi për Bacën është kujtim për atë se çfarë ka kaluar Kosova për një shekull. Kur na porosiste që “Mos e vendosni njeriun para idesë sepse kjo është punë e rrezikshme…Njeriu mund të mashtrohet, të burgoset, të vritet, kurse ideja jo”, nuk e ka menduar që një ditë ai dhe ideja do të bëhen një. Kur flasim për çlirim, pavarësi e liri flasim për Adem Demaçin. Ai ishte krah për krah të dobëtit, e ballë për ballë shtypësit. Nuk iu tremb syri e nuk iu shmang rrezikut. E mbyti vdekjen kur i hyri kësaj rruge.
Lavdi jetës dhe veprës së këtij vigani, disidentit Adem Demaçi.