GP i Lëvizjes VETËVENDOSJE! inicoi interpelancë për ministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me fillimin e vitit shkollor
Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Përkundër se vetëm edhe tri javë na ndajnë nga kur do të fillojë viti shkollor dhe akademik, kjo ministri nuk ka ndërmarrë thuajse asgjë për fillimin e vitit shkollor. Jemi tashmë shumë vonë me planifikim për fillimin e vitit shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor, përfshirjen e të gjithë nxënësve në proces, si dhe mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor në situatën në të cilën ndodhet vendi me COVID-19.
Gjatë gjithë pushimit veror, Qeveria nuk është parë të ketë bërë përgatitje për një proces arsimor në rrethana emergjente. Sfidat e ndryshme të organizimit të procesit online të arsimimit do të duhej të trajtoheshin për t’u shmangur me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga adaptimi psiko-social i nxënësve me mënyrën online të vijimit të mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mësimdhënie nga distanca, mënyra e dorëzimit të detyrave, leximit dhe angazhimit të nxënësve, zbatimi i mundësisë së shkollimit nga shtëpia, por edhe monitorimi dhe vlerësimi i këtij procesi.