Në përkrahje të punëtorëve dhe të drejtave të tyre
Shfrytëzimi, kërcënimet dhe rreziku i lartë në punë ia kanë nëpërkëmbur punëtorëve të Kosovës dinjitetin duke ia përdhosur të drejtat. Vetë ligji aktual i punës i diskriminon, por edhe ato nene të këtij ligji që synojnë mbështetjen dhe mbrojtjen minimale në punë nuk respektohen. Nga njëra anë, shumica e njërëzve në Kosovë janë të papunë, nga ana tjetër shumica e atyre që janë në punë janë nën presione nga më të ndryshmet, qoftë për të punuar pa kontrata, apo pa sigurimet bazë të shëndetit dhe jetës, qoftë nën kërcënimin e vazhdueshëm të pushimit nga puna.
Kosova ka nevojë të bashkojë punëtorë e të papunë për ta transformuar këtë situatë që është krijuar si pasojë e një modeli ekonomik që ka njësuar pushtetin politik me interesat e biznesit oligarkik në sulmin e drejtpërdrejt ndaj punëtorëve. Ky sulm realizohet sa përmes përmbajtjes së kuadrit ligjor aq edhe përmes zbatimit të keq të tij, për ta goditur punëtorin ekonomikisht dhe për ta nënshktruar atë, duke e trajtuar si mall konsumi.
Këtë vit, pas një kohe të gjatë pasiviteti të BSPK-së, 1 Maji do të shënohet në Prishtinë përmes një proteste që është thirrur pikërisht nga BSPK-ja me disa kërkesa me të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! pajtohet. Ne i kemi ofruar BSPK-së shumë ditë më parë ndihmën tonë për koordinimin dhe realizimin e protestës së 1 Majit, me qëllimin për të shtyrë përpara realizimin e të drejtave të punëtorëve në Kosovë. Këtë e kemi bërë duke marrë parasysh bindjet dhe orientimin tonë social demokrat që ka në epiqendër zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik përmes mbrotjes së punëtorëve dhe respektimin e plotë të të drejtave në punë.
Gatishmëria jonë nuk është marrë parasysh, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! e vlerëson faktin se BSPK-ja ka vendosur ta mbajë këtë protestë për 1 Maj, dhe urojmë që protesta të realizojë synimet dhe të shënojë një hap të rëndësishëm drejt dinamizimit të punës sindikale në Kosovë. Deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes do të marrin pjesë në këtë protestë.