Plani 4+1
Tema e cila aq shpesh riaktualizohet nga pushteti saqë përherë mbahet si prioritet, sigurisht se është ajo e dialogut me Serbinë. Së fundmi e kanë paralajmëruar edhe finalen e madhe të dialogut. Mbase kjo do të bëhet edhe një çerekfinale tjetër e vogël, nëse pa një:
PLAN 4 + 1
Para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që:
1) Të bëhet bilansi shtetëror i dialogut 2011-2017: të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim dhe pak transparencë. 33 marrëveshje i kanë nënshkruar Kosova me Serbinë në dialogun gjashtëvjeçar. Shumica dërrmuese e tyre nuk janë realizuar. Në veçanti duhet theksuar bllokimi që na e bën Serbia në fushën e energjisë elektrike, në urën mbi Ibër në Mitrovicë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në reciprocitetin e njohjes së diplomave. Në anën tjetër, kemi edhe marrëveshje pa efekt, si psh. zyrtarët ndërlidhës në Prishtinë e Beograd që nuk kanë kurrfarë roli. Apo, kemi edhe marrëveshje të arritura me kundërefekt, psh. fusnota në emërtimin e shtetit: Serbia na lufton njësoj kur duam të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Nuk ekziston një dokument zyrtar qeveritar që vlerëson dialogun gjashtëvjeçar dhe marrëveshjet e tij. Ai dokument moti është dashur të vijë në Kuvendin e Kosovës.
2) Të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucionet dhe shoqërinë tonë. Debate në Kuvend para dialogut e për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën, për qëllimet dhe formatin. Dialogu që u zhvillua në vitet 2011-2017 me Serbinë ishte dialog sipas kushteve të Serbisë: diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës, pa u konsideruar Serbia si borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Dialogu i brendshëm duhet zhvilluar me kategoritë e ndryshme shoqërore dhe grupet e interesit, si dialog prej poshtë. Psh. me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, shoqatën e ish të burgosurve politikë, komunitetin e biznesit, kryetarët e komunave të Kosovës, pakicat kombëtare etj. Siguresat e procesit edhe duhen përcaktuar edhe duhet të jenë qysh në fillim e jo veçse në fund.
3) Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian (BE) për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu. Nuk mund të vazhdohet me “dykuptimësinë kreative” me ç’rast për vetë emërtimin e dialogut, pra “normalizimin e marrëdhënieve”, në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel kemi së paku tri kuptime të ndryshme. Po ashtu, vetë procesi herë quhej dialog teknik e herë politik, herë bisedime e madje edhe negociatë. Duhen sqaruar shprehjet dhe objektivat, si dhe përfitimet e Kosovës në integrimin euro-atlantik, ndërlidhja me Procesin e Berlinit dhe kalimi nga “normalizimi i marrëdhënieve” te “fqinjësia e mirë”. Dialogu paraprak me BE-në është i nevojshëm edhe për vetë BE-në e cila ka shprehur interesim të ripërtërirë për integrimin e Ballkanit perëndimor dhe ka filluar të mendojë për kalendarin përpara të gjashtë shteteve të Ballkanit të cilat ende ngelen jashtë BE-së.
4) Të pajtohemi që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga prioretizimi i punësimit dhe drejtësisë, si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim. Gjatë dialogut 2011-2017, është rrëmbyer agjenda shtetërore nga diplomacia e bisedimeve permanente të “normalizimit”. Zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, u patën lënë anash. Energjia qeveritare, koha mediale si dhe vëmendja qytetare u ç’orientuan prej preokupimeve të brendshme të shtetndërtimit demokratik, drejtësisë institucionale dhe zhvillimit socio-ekonomik. Po ashtu, dialogu me Beogradin i defaktorizoi qytetarët serbë të Kosovës dhe i la ata në harresë. Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017, shkeljet më të rënda dhe më të shumta u bënë pikërisht në mjediset ku jetojnë serbët për shkak të ndërhyrjes së Serbisë dhe prederencës së saj për njërin subjekt politik të serbëve në Kosovë.
Në këtë mënyrë, do të ndërtohej pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat e parimet, strategjitë dhe përfaqëimin në dialog. Në asnjë moment, rrethanë apo rol kjo pajtueshmëri nuk mund t’i përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit. Njeriu i cili:
– në dialog me Serbinë nuk e ngriti çështjen e të pagjeturve, të dëmeve të luftës, të ndarjes së Mitrovicës e të shfrytëzimit të Trepçës, të shqiptarëve të shtypur në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të 1.200 artefakteve kulturore të plaçkitura nga Serbia, të kontributeve pensionale dhe të depozitave bankare të vjedhura, të 172 pronave të Kosovës që janë nëpër ish Jugosllavi;
– për gjashtë vjet e heshti çështjen e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit të Serbisë në Kosovë dhe nuk e paditi Serbinë për to;
– i frikësohet tejet shumë aktakuzës së mundshme nga Gjykata Speciale të cilën për interes personal u orvat ta sulmojë në natën e 22 dhjetorit 2017;
– është protagonist i aferës ‘Pronto’ (të gjithë mbajmë mend se si i quante qytetarët e Malishevës dhe ish kryeparlamentarin Jakup Krasniqi);
– vendosi lule dhe bëri nderim te pllakat përkujtimore të strukturave të Serbisë në Kosovë ku shkruan ‘viktimat e terrorizmit shqiptar dhe të agresionit të NATO-s’;
– gjithë dialogun e tij me serbët lokalë e zhvilloi para një morie kamerash kur ia fali një serbi një traktor e të cilin ai e shiti pastaj;
– e mbështeti ‘Zajednicën’ (Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe) që doli të jetë anti-kushtetuese;
– me 20 janar 2012 i detyroi deputetët e PDK-së ta rrëzojnë reciprocitetin e Kosovës me Serbinë të miratuar më 7 dhjetor 2011 në Kuvendin e Kosovës;
– mban përgjegjësinë kryesore për dështimin në anëtarësimin në UNESCO që paraqet dështimin më të madh në politikën e jashtme kosovare…
nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësojë në këtë proces