Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë.
Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.
Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën.
Banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare. Ndërsa Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës. Konfliktet e tilla nuk kanë arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore, institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë.
Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz.