Të aktivizohet prokuroria speciale
Fjala e plotë e Albulena Haxhiut në konferencën e sotme për media.
Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin, aktivistin politik i cili u burgos sikurse edhe aktivistët tjerë me urdhra të pushtetit të asaj kohe.
Gjatë këtyre ditëve, qytetarët sikurse edhe familja Dehari por edhe ne si Lëvizje ishim të shqetësuar që dëshmitarët kryesorë pavarësisht veprave të rënda për të cilat ishin dënuar, ose janë liruar, ose janë falur, ose s’janë më gjallë dhe ne jemi të bindur që pas këtyre fshihen skenare të errëta.
Adonis Gashi është në arrati, i cili në muajin shkurt të këtij viti, nga arratia kishte thënë, po citoj:
“Nuk do të deklarohem për rastin Dehari përderisa nuk rishikohet dosja ime. Unë jam i pafajshëm dhe dua që kjo gjë të dëshmohet. Pas kësaj mund edhe të dëshmoj”
Adonis Gashi vazhdon të jetë në arrati dhe institucionet nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet.
Naser Makolli na thanë që vdiq nga një sëmundje.
Frrok Laski në vitin 2019, në fund të këtij viti pra viti 2019 u lirua nga paneli për lirim me kusht.
Ndërsa rasti i fundit i paprecedent ishte kur presidenti në fund të muajit korrik i fali 3 vite e gjysmë Luz Allakaj, një personi që ishte dënuar për vrasje të dyfishtë, madje të një fëmije 13 vjeç.
Para disa ditëve, me kërkesë të deputetëve të grupit tonë parlamentar, i kemi kërkuar presidentit qasje në dokumentacionin që ka quar te zbutja e dënimit të Luz Allakaj dhe ende dosja e faljes me arsyetimin përkatës nuk na është ofruar.
Në anën tjetër, në vend se prokuroria të jetë e vëmendshme dhe aktive, ne nuk kemi asnjë informacion se edhe sa kohë i duhet prokurorisë për ta zbardhur të vërtetën dhe për ti quar para drejtësisë përgjegjësitë?
Në kohën kur u bë publik raporti i institutit zviceran ne kërkuam që rasti nga prokuroria themelore në Prizren të kalojë në kompetencë të prokurorisë speciale por qëllimi ishte që të bëhet hetim i plotë e i pavarur
dhe jo prokuroria special ta mbajë në sirtar këtë rast.
Meqë u bë kohë që nuk ka asnjë njoftim për këtë, ne i kërkojmë sqarime prokurorisë speciale.
Deri ku kanë mbërrit hetimet për rastin Dehari?
Pse kjo lëndë nuk është prioritet për prokurorinë?
Pse prokuroria special nuk është aktive?
Pse nuk janë marrë në pyetje të gjitha panelet e komisionet e individët që kanë mundësuar lirimet e dëshmitarëve kryesorë?
Sepse prokuroria për ta zbardhur të vërtetën duhet të hetoj secilën rrethanë. Këtë e ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore!
Prokuroria duhet të guxojë të veproj është mandat i saj kushtetues pavarësisht presioneve e tendencave për ndërhyrjet që mund t’i bëhen.
Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka ky rast, Prokuroria nuk duhet të heshtë, duhet të flas, duhet ta njoftoj opinionin për veprimet që ka ndërmarrë deri tani.
Në kohën sa isha Ministre e Drejtësisë, nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, kam marr konfirmimin që Instituti zviceran i cili kishte përjashtuar vetëvrasjen, do të vinte në Kosovë në muajin qershor, për ta arsyetuar raportin e tyre dhe për t’i ndihmuar institucionet për zbardhjen e së vërtetës.
Sot jemi në muajin gusht dhe nuk kemi asnjë informacion, a kanë qenë ekspertët e institutit zviceran në Kosovë?
Nëse po, çfarë ka ndodhur, nëse jo pse apo kur do të vijnë ata?
Siç jeni në dijeni, kryetari Kurti me anë të një reagimi dje ka përmendur nevojën e zbardhjes të së vërtetës për rastin Dehari dhe për nevojën e bërjes publike të proceseve të faljes së presidentit sepse për falje nga presidenti bëhen me qindra kërkesa nga të burgosurit, këtë informacion mund ta keni edhe nga vetë zyra e presidencës.
Shtrohet pyetja se pse bash dëshmitarit në rastin Dehari ju falën tre vite e gjysmë nga dënimi.
Është e rëndësisë jetike të bëhet publike procesi dhe arsyetimi i faljes së rastit në fjalë që mbase edhe do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të vrasjes së Astritit.
Është njësoj e rëndësishme që ky rast të jetë fillimi i një procesi të gjatë e të detajuar të analizës se si janë arsyetuar faljet e bëra nga ky president.