Draftstatuti i miratuar nga Qeveria rrezikon Trepçën
Në tryezën e organizuar sot nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Komiteti për Industri lidhur me gjendjen dhe problemet në Trepçë morën pjesë ekspertë, profesionistë, Kryetari i Sindikatës së Trepçës, z.Shyqyri Sadiku, Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Agim Baftiri, të cilët shprehen shqetësimet e tyre për draft statutin e miratuar së fundmi nga Qeveria.
Njëra prej vërejtjeve të para që u theksua prej shumë të pranishmëve ishte se ky draft statut duhej të hartohej prej bordit të vetë ndërmarrjes e jo prej Qeverisë dhe t’i imponohej bordit.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe kryetari Albin Kurti e nënkryetari Besnik Bislimi si dhe drejtuesi i Komitetit për Industri Nazmi Mikullovci. Vërejtjet kryesore kishin të bënin me mospërfshirjen e shumë aseteve të Trepçës duke i lënë ato të rrezikuara për likuidim në AKP.
Vërejtje të mëdha kishin të pranishmit në lidhje me statutin e ri. Aty nuk përkufizohet se cilat janë minierat e Trepçës. Flitet tepër pak për metalurgjinë dhe i shtrohet rruga ndarjes së atyre në pjesën veriore. Ky statut praktikisht heq dorë prej pjesës veriore. Ndërkohë, paralajmërohet një studim tjetër i fizibilitetit edhe pse vitin që kaloi u bë një i tillë.
Çështja tjetër brengosëse është ajo e aksionarëve. Në tryezë u vlerësua se me gjithë vërejtjet e shumta për ligjin për Trepçën, ky statut është më keq sesa vetë ligji, i hartuar nga ndokush i paditur, si në aspektin teknik e juridik po ashtu edhe në atë ekonomik e financiar.
Gjithashtu, gjatë tryezës u kritikua bordi i ri përbërja e të cilit janë persona joprofesionalë e krejt partiakë.
Në këto rrethana, është urgjente mbrojtja e Trepçës për t’i hapur rrugë zhvillimit të saj.
Lëvizja VETËVENDOSJE! gjatë shqyrtimit të Ligjit për Trepçën pati kërkuar që statuti i saj të miratohej nga Kuvendi me 2/3 e votive të Kuvendit, kjo për të siguruar që Trepça nuk rrezikonte as asetet e saj e saj pronësinë e saj. Atëbotë PDK e LDK nuk e patën pranuar këtë propozim duke e zbritur miratimin e statutit në Kuvend por me shumicë të thjeshtë.
Sot jemi para këtij problemi të madh, ku vet statuti që tash është vetëm draft t’i paraqitet Kuvendit për miratim. Ne do të punojmë që ky version i statutit të kthehet mbrapsht dhe vetëm pasi aty të jenë të qartësuara drejt dhe sigurt mbrojtja dhe zhvillimi i Trepçës t’i vijnë Kuvendit.
Prandaj paraprakisht i bëjmë thirrje Qeverisë, bordit se duhet të tërhiqen nga ky variant i statutit.
Po ashtu, ne do të mbështesim punëtorët në kërkesat e tyre legjitime për mbrojtjen e aseteve të Trepçës.