06 06 2018

Nga shërbëtor në djalosh me dekoratë

Sa më shumë që presidenti i Kosovës të kufizohet në rolin e tij do të ishte më mirë për Kosovën. Nuk do të ishte ide e keqe që ai të reduktohej në ndarës dekoratash por as këtu nuk është treguar i suksesshëm duke marrë parasysh sa shumë të tilla i janë refuzuar atij. Por sot, një person e pranoi me kënaqësi një medalje e cila nuk kuptohet qartë se pse iu nda. Thaçi e kurorëzoi sot Baton Haxhiun me medalje presidenciale në emër të kontributit të tij gjatë luftës. Derisa ky kontribut për ne mbetet i panjohur, ne i njohim shumë mirë detyrat që i kryen Batoni për Thaçin.

Zakonisht pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim. Kështu e kërkon edhe natyra e punës së agjentëve, por meqë Haxhiu po e bën tash e sa kohë mbrojtjen e shërbimin haptas për PDK-në atëherë edhe Thaçi po ia kthen këtë nder në formë krejt transparente, para kamerash.

Gazetarët nuk do të duhej të pranonin medalje nga një president i tillë siç është Thaçi, por meqë e ka filluar, ne e inkurajojmë Hashim Thaçin që të dekorojë edhe të tjerë dhe kështu na e bën edhe më të qartë se cilët janë oborrtarët e tij.

Tani që raporti PDK-Baton Haxhiu u kurorëzua me medalje presidenciale, për Lëvizjen është e qartë që ky raport duhet të neutralizohet duke e defaktorizuar shërbyesin. Këtë do ta bëjmë duke refuzuar çdo bashkëpunim me çdo emision që moderohet nga Haxhiu.

Kontribo