09 06 2018

Shpaloset Java e Lëvizjes

Sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi dhe deputeti i VETËVENDOSJE!-s Liburn Aliu kanë shpalosur sot në një konferencë për media Javën e Lëvizjes, që po organizohet në 13-vjetorin e organizatës sonë.

Sekretarja Haxhimehmedi ka treguar për aktivitetet e secilës ditë:
Nga nesër më 10 qershor, fillon “Java e Lëvizjes” me shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Gjatë kësaj jave do të organizojmë aktivitete ditore me dhe për qytetarët dhe për aktivistët.

Kemi caktuar nga një temë për çdo ditë të Javës së Lëvizjes, si në vijim:

• E diel, 10 qershor, është Dita e Lidhjes. Pas 140 vjetëve Lidhja Shqiptare e Prizrenit është gjallë dhe shërben si burim frymëzimi.

• E hënë, 11 qershor, është Dita e Anëtarësimit. Do të përkujtojmë një ndër aktivistët tanë më shembullor, Arbënor Deharin, që ka dhënë një kontribut të çmueshëm për anëtarësimet e reja në Lëvizje. Në frymën e kontributit të tij, do të përqendrohemi te rekrutimi dhe te anëtarësimi, si dy shtylla te organizimit

• E martë, 12 qershor, është Dita e VETËVENDOSJES!, që do ta shënojmë në Prishtinë me temën: “13 vjet ballafaqim dhe organizim”.

• E mërkurë, 13 qershor, është Dita e Mërgatës, dita e atyre që edhe pse kanë jetuar jashtë trevave shqiptare, nuk kanë reshtur të çojnë përpara proceset më të rëndësishme të shqiptarisë.

• E enjte, 14 qershor, është Dita e Komunës, ajo që e përbën të përbashkëtën tonë. Prandaj, do të organizojmë aktivitete për të fuqizuar lidhjen e komunës me qytetarin.

• E premte, 15 qershor, është Dita e Solidaritetit në komunitet, që shënon edhe përfundimin e muajit të Ramazanit dhe festën e Bajramit, ku do të gjendemi pranë njerëzve më në nevojë.

• E shtunë, 16 qershor, është Dita e Organizimit. Do t’ia kushtojmë organizimit bazë në komunitet ‒ pikave të VETËVENDOSJE!-s.

• E diel, 17 qershor, e përmbyllim Javën e Lëvizjes me shënimin e ditëlindjes së Ukshin Hotit dhe të veprës së tij.

Kjo javë do të mbyllet me një aktivitet socio-kulturor në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Deputeti Liburn Aliu ka folur për Lidhjen e Prizrenit, 140 vjetori i së cilës e hap Javën e Lëvizjes.

Lëvizja Kombëtare e mbajti Lidhjen gjallë. Në shumë forma organizimi, herë legale, herë ilegale, lufta për liri vazhdoi, fshehurazi ose haptazi. Ajo u zhvillua dhe në terrenin e letrave e të arteve, ku pasardhësi më i spikatur i Abdyl e Sami Frashërit, si ideolog i Lëvizjes, u bë Ukshin Hoti. Ai ia vendosi vetes dhe secilit veprimtar imperativin “Shqipërinë e pabërë, bëje të bërë. Bëje ose vdis!”.

Maksimën e Ukshin Hotit e mishëroi në mënyrë më sublime Adem Jashari dhe mijëra veprimtarë. Me organizimin e UÇK-së shqiptarët iu kundërvunë edhe një herë forcave spastruese dhe në vitin 1999 arritën t’i ndalin ato, duke e çliruar Kosovën.

Detyrat që na i ka dhënë Lidhja e Prizrenit ende nuk janë realizuar. Rusia e disa nga fqinjët vazhdojnë të kenë pretendime ndaj nesh, kurse ne nuk e kemi organizimin e duhur ushtarak për vetëmbrojtje. Nuk kemi arritur të ndërtojmë diplomaci që t’i përfaqësojë shqiptarët në mënyrë të dinjitetshme. Fatkeqësisht kemi ambasadat e konsullatat plot miq e kushërinj të pushtetarëve. Ende nuk e kemi një shtet shqiptar mjaftueshëm të fortë, që t’u japë garanci e mbrojtje shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Ç’është më e keqja, ende qeverisemi nga klika vjedhësish, shpresa e vetme e të cilëve është servilizmi ndaj perandorive. Këta na kanë lënë me ekonomi, me shoqëri dhe me kulturë të pazhvilluar.

Për sa kohë që këto probleme të jenë aktuale, Lidhja vazhdon të jetë gjallë, jo vetëm në zemrat e mendjet e të shqiptarëve, por edhe si Lëvizje, në një shumësi formash të ballafaqimit e të organizimit. Njëra prej këtyre formave është Lëvizja VETËVENDOSJE! Frymëzohemi prej Lidhjes së Prizrenit, gurthemelin e kemi po aty.

Për këtë, nesër, më 10 qershor, në Prizren do të mbahet tribuna me temën “Situata gjeopolitike e shqiptarëve – siguria dhe mbrojtja”. Në panel do të marrin pjesë, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, profesori i filozofisë politike, z. Hysamedin Feraj dhe gjenerali, z. Enver Dugolli.

#JavaeLeviz13s

Kontribo