12 06 2018

13 vjet rezistencë dhe rritje, alternativë dhe progres

Në 13 vjetorin e themelimit u mbajt konferencë për media ku u fol për aktivitetin politik, rezistencën karshi proceseve të dëmshme në Republikën e Kosovës e rolin progresiv të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Tri koncepte të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë kyçe dhe për të cilat ka dëshmuar koha dhe proceset politike se VETËVENDOSJE! ka pasur të drejtë:

Kritika e VETËVENDOSJE!s ndaj klasës politike udhëheqëse në Kosovë, të cilët kanë vendosur gjithmonë interesin e tyre privat përkundër atij publik duke përfunduar në njerëzit më të pasur në vend karshi shumicës së qytetarëve të varfër.

Kundërshtimi i dialogut me Serbinë, i cili nuk po përfundon as sot si proces. Dhe në lidhje me këtë dialog Lëvizja mendon se me Serbinë nuk duhet të dialogohet, por ajo që është e nevojshme është vetëvendojsa. Ky dialog nuk i ka sjellur asnjë të mirë vendit tonë.

Kritika e VETËVENDOSJE!s ndaj UNMIK-ut, ku vetëm pas shpalljes nga të gjithë u pranua kritika e Lëvizjes se UNIMIK-u ishte një mision i dëmshëm për Kosovën. Poashtu VETËVENDOSJE! vazhdoi edhe me kritikën për EULEX-in duke thënë se ai është vetëm vazhdimësi e misionit paraprak, UNMIK-ut.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca foli edhe për orientimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe etapat në të cilat ka kaluar Lëvizja që nga themelimi i saj më 12 qershor 2005.

“Me 10 shkurt 2007 në protestën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! u vranë dy protestues, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, ndërkaq me 5 nëntor 2016, në Burgun e Prizrenit, gjeti vdekjen aktivisti ynë, Astrit Dehari”, tha Glauk Konjufca teksa rendiste hapat e rezistencës e përpjekjes së pandalur të Lëvizjes.

Ai renditi po ashtu dhe etapat e Lëvizjes si alternativë e zgjedhur në nivel qendror dhe lokal. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, Lëvizja u votua masivisht nga qytetarët e Republikës duke dalë si subjekti më i votuar në vend me 32 deputetë dhe 27% të votës së përgjithshme. Ndërsa në nivel lokal, kishim fitoren në Komunën e Prishtinës në vitin 2013 dhe 2017 dhe fitoren në Komunën e Prizrenit dhe atë të Dardanës në zgjedhjet e fundit.

“Ideologjia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është socialdemokracia, horizonti ynë i veprimit politik është shqiptarizmi, kurse sistemi politik shtetëror në të cilin ne besojmë, është republika”, shtoi Glauk Konjufca.

Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku foli për figurën e aktivistit dhe aktivistes si figurën më të rëndësishme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ajo theksoi vlerat që shpreh e përfaqëson kjo figurë, aktivizmin politik, vullnetarizmi dhe sakrifica.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka aktiviste e aktivistë që nuk kanë hezituar asnjëherë të jenë aktiv politikisht sepse një gjë e tillë ishte e domosdoshme për kohën. Ata nuk janë vetëm edhe ardhmja, por janë edhe e tashmja. Është koha e të rinjve që t’u prijnë proceseve”.

Në këtë 13 vjetor Lëvizja VETËVENDOSJE! vijon të strukturojë e shtrijë organizimin e saj në të gjithë Kosovën e në mërgatë, kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Me solidaritet e përkushtim, me vullnet e dije, me guxim e nder për të realizuar atë që e thotë dhe manifesti ynë:

Vetëvendosje, sepse asnjë populli nuk mund t’i vendosen kushte për lirinë e vet. Sepse çdo popull ka të drejtë të dekolonizohet; të jetë përcaktues absolut i kahjeve të zhvillimit të mundësive të veta; i resurseve vetanake ekonomike; i pasurive të veta nëntokësore. Të përcaktojë lirshëm identitetin e tij dhe të kultivojë i papenguar frymën autentike kulturore. Vetëvendosje, sepse kjo është diçka e natyrshme: është gjë e pritshme të vendosim në interes të vetes më shumë se ç’do ta bënte këtë gjë tjetërkush dhe gjithkush tjetër për ne.

Kontribo