12 06 2018

Konferencë për media

Sot, në ditën kur janë bërë saktësisht tre muaj prej ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për të rikujtuar se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt korrigjimit të këtij Demarkacionit, ndërkaq Hashim Thaçi, i cili ka nënshkruar këtë marrëveshje, kokë në vetë po niset drejt pazareve të reja me Serbinë.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti foli për mungesën e numrave të Qeverisë aktuale dhe mungesës së legjitimitetit të saj, në njërën anë, dhe në anën tjetër, ngarendjen e Thaçit për të bërë pazare të reja me Vuçiqin.
‘’Nuk mund të ketë edhe demokraci edhe qeveri të pakicës. Numri i partive në koalicionin qeverisës është dyfish më i madh sesa numri i deputetëve të partisë së kryeministrit. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj i cili për çdo javë bën së paku nga një skandal. Ai duhet ta testojë qeverinë me votëbesim në Kuvend. Kosova nuk mund ta bëjë shtetndërtimin e saj pa demokraci. E, nuk ka demokraci me qeveri të pakicës. Kemi nevojë për zgjedhje të reja e të lira’’, tha Albin Kurti.
Ai poashtu foli edhe për Strategjinë e Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nga e cila Serbia është privilegjuar shumë duke u futur në të njëjtën kategori me Malin e Zi për anëtarësim në vitin 2025.

‘’ Qëllimet e Beogradit janë të qarta: 1) ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë; 2) Anëtarësim sa më i shpejtë i Serbisë në BE. Në përputhje me këto qëllime Vuçiqi shtron kërkesa. Kosova nuk i ka formuluar qëllimet dhe parimet e saj dhe rrjedhimisht as kërkesat ndaj Serbisë. Krerët e institucioneve nuk e thonë as që synojmë e as që e kërkojmë njohjen e pavarësisë dhe dëmshpërblimin nga Serbia. Presidenti flet për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe besoj që e ka fjalën për dhimbjen që do ta ketë Kosova si shtet dhe populli ynë dhe jo vetë ai. Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel, kurse Thaçi po shkon te Vuçiqi’’, shtoi Albin Kurti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që të bëhet vlerësimi zyrtar i dialogut me një raport qeveritar 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Nuk mund të ketë dialog që na i merr 6 vjet pa pasur së paku edhe një vlerësim që na i merr 6 javë.
Presidenti Thaçi nuk është njeri që bën gabime të paqëllimshme, por njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil, as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe i paditur. Thaçi është President për vete, jo për Kosovën. Marrëveshjet e Presidentit apo ujditë e fshehta të tij nuk do të vlejnë në Kosovë. T’i përcaktojmë synimet e kërkesat tona dhe vetëm më pas të vazhdojmë me emra të përveçëm, ekipesh e liderësh, të dialogut që duhet të jetë padyshim me parime e me kushte.

Kontribo