Interesat e Kosovës nuk mund t’i mbrojë partneri i Vuçiqit
Sot, në ditën kur në Bruksel po pritet të zhvillohet takimi Thaçi-Vuçiq, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për të shpalosur dëmet që ka shkaktuar dialogu me Serbinë gjatë periudhës 2011-2017.
Nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku solli në vëmendje mungesën e legjitimitetit të Qeverisë që s’i ka as numrat minimal. Ndërsa Presidenti është plotësisht jokredibil dhe nuk paraqet unitetin e vendit.
“Me një president jokonsensual dhe jokredibil, i cili ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme si ajo për Zajednicën dhe pa u bërë një bilanc për të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani pala e Kosovës do të vazhdojë me kompromise të reja”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu foli mbi marrëveshjet e dëmshme që ka sjellë kjo mendësi e negocimi.
“Para 7 viteve, në kohën kur nisi procesi i dialogut me Serbinë, u tha se do të ishte thjesht në proces teknik dhe se nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës. Në fakt ishte dialog politik i ndërtuar mbi premisa të gabuara.”, tha Albulena Haxhiu.
Kujtojmë se gjatë këtyre viteve padrejtësisht Kosova i pësoi dëmet nga këto marrëveshje të dala një proces asimetrik dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Nga ky dialog:
·Kosovës iu vendos fusnota e cila u tha se do të shkrihet porsi fjollat e borës, më tej nga ky proces i dialogut u krijua një subjekt që e lufton Republikën e Kosovës e i cili është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë pra Lista serbe pra ne Serbinë e kemi në mes të Kuvendit të Kosovës.
· Iu nda në dysh buxheti i vendit përmes fondit për veriun, u amnistuan strukturat kriminale përmes ligjit për Amnisti,
– Iu nda në dysh drejtësia me marrëveshjen për drejtësi të vitit 2015, e iu krijua një proces fals kinse për integrimin e gjyqtarëve në sistemin tonë të drejtësisë, por në fakt ata gjyqtarë ishin caktuar me listë nga Vuqiqi. Madje u nënshkrua edhe një marrëveshje të cilën ende sot e mbajnë të fshehur e që ka të bëj me njohjen e aktgjykimeve të strukturave paralele të Serbisë e që është goditje shumëdimensionale për Republikën e Kosovës.
·Marrëveshja për Energjinë ku kontestohet pronësia e Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Serbisë, mbi resurset dhe rrjetin tonë energjitik.
·Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it” që të operojë brenda territorit të Kosovës ose thënë konkretisht që Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë. Kompanisë serbe “Elektrosever” ia kanë njohur të drejtën e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë fuksionim e sistemit energjetik të Kosovës.
·Kodin telefonik thuhej se do të na jepet për 3 muaj më së shumti. Kanë kaluar më shumë se dy vite dhe ende nuk kanë treguar se në pronësi të kujt është, të Kosovës a të Serbisë.
·Marrëveshja për Zajednicën që parasheh një entitet ligjor me karakter të veçantë me rend vetanak juridik dhe me kompetenca sikurse të Qeverisë.
Thaçi sot në takim me Vuçiqin nuk përfaqëson Kosovën, ai mundet veç veten të përfaqësojë atje. Kosovës i duhet një bilanc. Duhet një pasqyrë e plotë për marrëveshjet nga Energjia te Telekomunikacioni, nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave, nga policia e gjyqësia në veri te përfaqësimi diplomatik i ndërsjellë, nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri te denominimi antikushtetues i Republikës së Kosovës (fusnota).
Hashim Thaçi duhet të ndalet, askush nuk mundet të pranojë dëme të reja për avazet e vjetra të tij.