20 09 2020

Ekonomia pa politikë po e bën Kosovën subjekt ekonomik të politikave të Serbisë

Pafund herë Hashim Thaçi deklarohej se në takim e radhës në Washington se do ta heqim Serbinë qafe njëherë e mirë. Se, “Marrëveshja Finale” është gati dhe se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia e ulësja në OKB është duke na pritur. Do të jetë e dhimbshme thoshte asokohe, por do të jetë finale për të dyja palët. Njësoj, kohëve të fundit edhe vartësi i tij, Avdullah Hoti, shprehej i bindur e i palëkundur në njohjen reciproke.

Me 4 shtator risi ishte vetëm vendi ku u nënshkruan zotime. Padyshim, edhe që delegacioni i Kosovës ia mundësoi Vuçiqit të duket i moderuar e pro-amerikan duke e futur në “Dhomën Ovale”.

Por çfarë ndodhi atë ditë? Kosova vazhdoi të jetë më shumë temë e diskutimit sesa palë në dialog. Një mori e pikave të zotimeve ishin të nënshkruara shumë kohë më herët e disa të tjera duken vështirë të implementuara. Aty, delegacioni i Kosovës hoqi dorë nga shtetësia e Kosovës dhe po bëhet përpjekje titanike që ta ndajnë ekonominë nga politika. Thua se këto nuk janë pikërisht e njëjta gjë. Problemi i Kosovës me Serbinë është problem politik sepse është edhe problem ekonomik. Madje, problem ekonomik është pikërisht sepse është problem tërësisht politik.

Në konferencën e sotme, ish-zëvendësministri i Infrastrukturës, z. Avni Zogiani, dekonstruktoi zotimet e kësaj date në një pikë shumë komplekse. “Në dokumentin për palën kosovare” – thotë z. Zogiani- “thuhet se autostrada do lidhë Prishtinën e Beogradin, kurse në dokumentin për palën serbe, thuhet se kjo autostradë lidh Prishtinën me Nishin. Këto dy versione kanë një dallim të madh mes vete, sepse duhet qartësuar nëse kjo lidhje multimodale, në këtë rast hekurudhë e autostradë, ka apo jo takim me korridorin Orient-East-Mediterranean. Nuk duhet të harrojmë që Serbia për t’u bërë atraktive për Orient/East-Med Corridor duhet që ajo të ofrojë garanci që lidhja e saj e nxjerrë këtë korridor në Durrës dhe në Mal të Zi.”

Kësisoj, pra, çfarë ka bërë delegacioni nga Kosova është që vendin tonë e ka kthyer në tranzit të këtij kalimi. Vlera e vetme për këtë do të ishte nëse Kosova dhe Shqipëria pas saj dalin/kyçen në Orient/East-Med, e kjo varet nga Serbia, e cila deri tani thotë ju lejoj deri në Nish.

Kontribo