Zgjedhja e jashtëligjshme e Kryeshefit të SKQZ-së, rrezikon zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike
Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media ku dy përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alim Rama, folën për shkeljet e bëra gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së. Për asye e qëllime politike, udhëzimi administrativ që ka të bëjë me caktimin e panelit që bënë përzgjedhjen dhe propozimin e të përzgjedhurit për këtë pozitë është ndryshuar pasi është shpallur konkursi, kandidatët kanë dorëzuar dokumentet dhe konkursi është mbyllur. Kjo përbën një shkelje ligjore ngase është thyer parimi ligjor i sigurisë juridike. Nuk mund të ndryshohen rregullat pasi të fillojë loja. Partitë e koalicionit të kësaj qeverisje të paligjshme së bashku me PDK-në u bënë bashkë për ta vënë të preferuarin e tyre në krye të këtij institucioni dhe kjo cenon jo vetëm institucionin në fjalë, por edhe proceset zgjedhore në të ardhmen, theksuan Kurteshi e Rama në këtë konferencë.
—
Sami Kurteshi shpjegoi se procesi i përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së ka filluar në qershor, por për shkak të pandemisë është zvarritur me arsye. Ai tha se në procesin e përzgjedhjes, pas shpalljes së konkursit dhe pas dorëzimit të dokumenteve nga kandidatët, e më pas edhe mbylljes së konkursit nga KQZ, për arsye politike është ndryshuar udhëzimi administrativ që ka të bëjë pikërisht me caktimin e panelit që bënë propozimin e të përzgjedhurit për këtë pozitë.
“Këtu kemi hapur një shkelje ligjore sepse është thyer parimi ligjor i sigurisë juridike, askund nuk ndryshohen rregullat e lojës pas fillimit të saj. Por duket se sot në Kosovë, nëpër të gjitha institucionet publike, ky koalicion qeverisës së bashku me një pjesë të ‘opozitës’ po provon t’i zaptojë të gjitha pozitat shtetërore. Të gjithë po bëhen bashkë për ta ndarë kulaçin”, tha Kurteshi.
Përfaqësuesi tjetër i Lëvizjes në KQZ, Alim Rama, foli për kronologjinë e shkeljeve që kanë ndodhur gjatë këtij procesi.
“Shkelja e parë ka qenë ndryshimi i udhëzimit administrativ. Kjo nuk u bë thjeshtë sa për ta siguruar kandidatin e tyre. Nëse e shikojmë rolin e Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, shohim se ky rol bartë përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedhjeve. Nëse të duhet dikush e patjetër edhe jashtëligjshëm synon ta vësh në këtë pozicion atëherë kjo normalisht që ngritë shqetësimin për manipulimin e zgjedhjeve”, tha Rama.
Ai tha procesi ka qenë i rregullt deri me datë 12 gusht kur brenda KQZ-së nuk ka pasur dakordësi për atë se çfarë përbërje duhet të ketë paneli. “Ka ekzistuar rregulli, ku në përbërjen prej pesë anëtarëve të panelit, dy janë përfaqësues të pozitës, dy prej opozitës dhe një nga minoritetet. Kjo nuk u ka pëlqyer disa anëtarëve pasi e kanë parë që me atë përbërje nuk mund ta shtyjnë përpara përzgjedhjen e kandidatit të tyre.”
Rama listoi edhe shkeljet tjera që kanë të bëjnë me vlerësimin e kandidatëve. Kandidati i koalicionit qeverisës është votuar njëherë për të parë se ku qëndron me vota, e më pas kur është parë që nuk qëndron mirë, në fazën e intervistimit është vlerësuar me më shumë pikë për ta krijuar distancën mes tij dhe kandidatëve të tjerë.
Shkeljet tjera lidhen me afatet kohore, ku shkelja më e rëndë është ajo e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të SKQZ-së pa përfunduar afati i ankesave nga kandidatët tjerë që morën pjesë në konkursin e shpallur. Pra, kryeshefi ende pa përfunduar afati ligjor për ankesa ka filluar punën.
“E kanë ftuar zyrtarin ligjor të SKQZ-së, i cili është në pushim mjekësor nga data 14 shtator, dhe vazhdon të jetë, për ta thënë se nuk është bërë asnjë shkelje dhe se mund të procedojnë tutje me emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv të SKQZ-së. Për të njëjtin rast, ky zyrtar ligjor pati thënë të kundërtën, pra që duhet pritur shqyrtimin e të gjitha ankesave, përfshirë edhe ato që janë nëpër gjykata”, tha Rama.
Në fund, Rama tha se dakordimi i partive të koalicionit qeverisës dhe PDK-së që ta shtyjnë qoftë edhe jashtëligjshëm kandidatin e tyre në krye të një detyre kaq të rëndësishme që merret me organizimin e zgjedhjeve, është tendencë e hapur t’i manipuluar zgjedhjet e lira dhe demokratike në të ardhmen.