14 10 2020

Nga takimi me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák

Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari i saj, Albin Kurti, i shoqëruar nga ish ministri i Shëndetësisë dhe anëtari i kryesisë, Arben Vitia, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, dhe deputetja Fitore Pacolli Dalipi, mirëpriti Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, tre këshilltarët e tij, Ana Maria Boura, Katharina Kandt dhe Umerr Al-Khatib, dhe Shefin e Zyres së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog.

Takimi ishte në kuadër të vizitës së z. Lajčák në Kosovë dhe takimeve të tij me liderë politikë e institucionalë. Përgjatë tij, kryetari Kurti dhe Përfaqësuesi Special Lajčák ndanë qëndrimet dhe këndvështrime e tyre sa i përket procesit, qëllimeve dhe zhvillimeve në Dialog. Në fillim të fjalës, z. Kurti e falenderoi z. Lajčák për ftesën e tij për t’u takuar. Ai e njoftoi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! i cili tashmë ka përfunduar në rreth 10% të pikave tona, për Qeverisjen Alternative dhe pesë shtyllat e saj, si dhe anëtarësimin në Aleancën Progresive së fundmi. Kryetari Kurti gjithashtu foli edhe për katër rastet të cilat tashmë e sa kohë janë në trajtim të Gjykatës Kushtetuese e për të cilat ende nuk ka ndonjë verdikt nga ky institucion pavarësisht se ato do të duhej të trajtoheshin me prioritet marrë parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e tyre.

Në anën tjetër, z. Lajčák foli për rëndësinë dhe nevojën e vazhdimit të Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja paraqet nje proces serioz i cili ka dy qëllime bazë: normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe afrimin e dy vendeve pranë e në BE. Pra, dialogu mes tyre si proces dhe marrëveshja përfundimtare si produkt janë të lidhura ngusht me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, nuk mund të ketë vakum, por ose përparim ose prapakthim, shtoi Miroslav Lajčák.

Në fund, kryetari Kurti u pajtua se dialogu është shumë i rëndësishëm. Duke qenë proces i një rëndësie të tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime e qëllime të qarta, me qeveri legjitime dhe kredibile, kornizë të dakorduar paraprakisht nga palët e përfshira, dhe përfshirje e aprovim të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të dy u pajtuan të mbesin në kontakt në funksion të mirëmbajtjes dhe avancimit të bashkëpunimit të deritanishëm.  

Kontribo