15 10 2020

Konferencë virtuale e organizuar nga grupi i Social-Demokratëve të Parlamentit Evropian.

Sot, sekretari për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtari i Kryesisë, z. Kreshnik Ahmeti, përfaqësoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! në konferencën virtuale të organizuar nga grupi i Social-Demokratëve të Parlamentit Evropian.

Në këtë konferencë që për temë kishte Raportin e Vendit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin, pjesëmarrës ishin deputetë të Parlamentit Evropian, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Ballkan dhe zyrtar të qeverive dhe subjekteve social-demokrate të rajonit.

Në fjalën e tij, z. Ahmeti shprehu pajtimin me përfundimet e Raportit të Progresit për Kosovën në lidhje me korrupsionin në institucionet e Republikës së Kosovës dhe mungesën e vullnetit dhe guximit të Qeverisë ilegjitime Hoti për ta luftuar atë. Ashtu sikurse theksohet në Raport, ai përmendi faktin që Kosova kishte Qeverinë Kurti e cila kishte program dhe vullnet për të luftuar korrupsionin dhe për të bërë reformat e nevojshme në institucionet e vendit. Në diskutim, ai gjithashtu përmendi edhe shqetësimin në lidhje me ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës, duke intimiduar qytetarët serb në mënyrë që ata të votojnë vetëm për Listën Serbe dhe shqetësimin në lidhje me diskursin shovinist të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në raport me shqiptarët.

Në lidhje me Planin e Komisionit Evropian për Investime në Ballkanin Perëndimor, z. Ahmeti theksoi se Republika e Kosovës ka nevojë për investime të mëdha në sistemin arsimor dhe që ai të lidhet me ekonominë; për investime në prodhim, si formë e uljes së papunësisë së lartë, e cila rëndon më së shumti te gratë dhe të rinjtë; dhe për investime në teknologji të re të prodhimit dhe shërbimeve, e cila është në purputhje me parimet e ruajtjes së ambientit.Pjesëmarrja në këtë konferencë vjen si rezultat i shtrirjes së bashkëpunimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me subjektet simotra në Evropë dhe më gjerë, si rezultat i pranimit të saj në Aleancën Progresive.

Kontribo