Një betejë e fituar për Lumbardhin!
Pas padisë që ka ushtruar aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan, Faton Selmanaj ndaj dy hidrocentraleve që po e shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit dhe po i lënë banorët pa ujë, Gjykata Themelore ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve.
Gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimit e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë i patën dhënë kompanisë private «Kelkos Energy» për hidrocentralet.
Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Organet e paditura dhe palët e interesuara kanë 15 ditë afat të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.
Kjo padyshim që është një fitore e shënuar kundër degradimit të natyrës dhe jetës së banorëve në atë pjesë, që njëherit inkurajon angazhimin individual e kolektiv për beteja të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.
Aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes po angazhohen për ta mbrojtur mjedisin si përmes Kuvendit të Republikës ashtu edhe përmes nismave të tjera vendore e ndërkombëtare.