Qëndrueshmëri financiare për strehimoret e viktimave të dhunës në familje
Në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” Sekretariati i Gruas Aktiviste zhvilloi sot një bashkëbisedim me përfaqësueset e strehimoreve të viktimave të dhunës në familje.
Në këtë bashkëbisedim ku morën pjesë ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetja, Saranda Bogujevci dhe drejtuesja e SGA-së, Nazlie Bala, përfaqësueset e strehimoreve adresuan problemet dhe kërkesat e tyre.
Fatkeqësisht strehimoret e grave dhe fëmijëve që përjetojnë dhunë në familje kanë probleme të shumëfishta e shumëvjeçare. Mungesa e financimit ka bërë që vit pas viti disa nga strehimoret t’i ndërprejnë shërbimet për viktimat. Kësisoj, shpeshherë është mbyllur dera ku gratë e fëmijët kanë mundësi të strehohen. Ndonëse situata me pandeminë ka bërë që dhuna ndaj grave të rritet, interesimi i qeverisë për të punuar në këtë aspekt ka shkuar duke u zvogëluar. Të gjendura në një situatë të dobët financiare, shumë prej strehimoreve rajonale në Kosovë po rrezikojnë të mbyllen. Kjo do të sjellë një situatë ku shumë gra e fëmijë do të përfundojnë në rrugë.
Në Qeverinë Kurti strehimoreve u është siguruar qëndrueshmëri financiare përmes rritjes së buxhetit dhe krijimit të linjës së veçantë buxhetore për to. Kurse me qeverinë Hoti pa mjete për strehimore ato e kanë të siguruar mbylljen.
Kërkesa e përfaqësueseve të strehimoreve është që për muajt janar dhe shkurt, qeveria të ndajë një fond emergjent, në mënyrë që strehimoret të kenë kapacitete të mjaftueshme për të mbrojtur, strehuar e trajtuar gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës.
Lëvizja VETËVENDOSJE!, veçanërisht Sekretariati i Gruas Aktiviste ka qenë aktiv në zhvillimin e kontakteve dhe diskutimeve me strehimoret, si dhe ka ngritur e adresuar problemet me të cilat ato përballen në vazhdimësi. Kërkesa e strehimoreve për financim të qëndrueshëm është kërkesë e drejtë dhe urgjente për shoqërinë tonë që duhet siguruar sa më parë nga shteti.