Takim lamtumirës me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin z. Jan Braathu
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me ish u.d. të ministrit të MPBAP, njëherit anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, Xhelal Sveçla, priti sot në takim lamtumirës Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin z. Jan Braathu, dhe udhëheqësin për çështje politike dhe të komunikimit në OSBE, z. Jeff Bieley.
Ambasadori, z. Braathu, për 10 vite ka ndihmuar dhe mbështetur ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë, njëherë si Ambasador i Norvegjisë e pastaj si kreu i OSBE-së në Kosovë. Ai ka shtyrë përpara shumë projekte që kanë mbrojtur të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, barazinë gjinore, lirinë e shprehjes dhe projekte të tjera që lidhen me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
Ambasadori, z. Braathu shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, për çka e falënderoi edhe Kryetari Kurti, i cili i uroi z. Braathu sukses në angazhimet e mëtutjeshme duke ndarë bindjen se bashkëpunimi me OSBE-në do të vazhdojë me ardhjen e Shefit të ri të këtij misioni.