25 12 2020

Gëzuar Krishtlindjet!

Sot, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti bashkë me ish Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ish Ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdari, Kryetarin e Qendrës së Vitisë, Nijazi Isaku, e bashkëaktivistë shënuan Krishtlindjen në Kishën e Shën Jozefit me besimtarët e Stubllës së Epërme e bashkëatdhetarët që kanë ardhur këto ditë në familjet e tyre.

Pas Meshës, u mikpritën në ceremoninë e organizuar nga Famullia e drejtuar prej Dom Jeton Thaqit dhe më pas vizituan muzeun në Shkollën e parë shqipe.

Kryetari Kurti ia uroi Krishtlindjen gjithë besimtarëve katolikë dhe familjeve të tyre duke veçuar se solidariteti e dashuria për tjetrin ndihmoi kudo në vend për ta përballuar pandeminë.

Ndërsa Dom Jeton Thaqi fjalën e tij përshëndetëse bashkë me urimet e festës kumtoi për këtë rast se tejkalimi i vetvetes, ndihmesa për të tjerët, komunitetin e atdheun janë shërbesa për të mirën sikundër fides as ratio, besimi e arsyeja, mund e duhet të shkojnë bashkë.

Vizitën në Stubëll të Epërme e përmbyllën me mikpritjen e familjes së Mëhill Martinit (Gjergji) ku përzemërsisht u takuan me djalin Robertin e bashkëshorten Suzana bashkë me tre djemtë e tyre Nikollën, Gazmendin e Samuelin.Familja Martini u përballë e para në Kosovë me pasojat e pandemisë por falë urtësisë e kthjelltësisë së tyre dhe gjithë asaj zone shumë shpejt gjithçka u rikuperua në Stubëll.

Me mbresat më të veçanta e me mikpritjen bujare të secilit e të gjithëve që na mirëpritën sot, u shprehim të gjithë shqiptarëve të krishterë urimet më të mira për Krishtlindjen e këtij viti të vështirë.

Kontribo