15 03 2021

Takim me Shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, z. Agim Gashi

Shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, z. Agim Gashi, të shoqëruar nga menaxherja për komunikim e kësaj organizate, znj. Albiona Salihu, i priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me deputeten e legjislaturës së re, Saranda Bogujevcin, dhe ish-këshilltaren për çështje juridike, Furtuna Sheremeti.

Z. Gashi e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje, dhe i dëshiroi sukses në punën e mëtejme drejt konsolidimit të qeverisë. Duke kujtuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Qeverinë Kurti 1, ku siç u shpreh ai, si rrallëherë dyert ishin të hapura për organizatën e Kryqit të Kuq, ai tha se pret që edhe në këtë mandat ky bashkëpunim t’iu përgjigjet me po atë ritëm kërkesave që vijnë nga qytetarët e komunitetet me të cilat Kryqi i Kuq punon. Kryetari Kurti i falënderoi për vizitën dhe për urimin, si dhe ndau bindjen që me qeverinë e re që do të formohet shumë shpejtë, do të vazhdojë ky bashkëpunim i mirë dhe i frytshëm me Kryqin e Kuq. Tutje, temë qendrore në këtë takim ishte çështja e të pagjeturve, ku z. Gashi na njoftoi mbi marrëveshjen e bashkëpunimit me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, për shkëmbimin e të dhënave sa i përket kësaj kategorie dhe për ecurinë e grupit punues që merret me çështjen e të pagjeturve. Kryeministri në ardhje, z. Kurti tha se në raport dhe dialog me Serbinë çështja e të pagjeturve nuk e ka marrë vëmendjen e duhur. Ai theksoi se me qeverinë e re kjo do të ndryshojë dhe se dialogu do të jetë i përgatitur mirë e parimor. Në fund, palët u dakorduan ta thellojnë bashkëpunimin me t’u formuar qeveria e re.

Kontribo