17 03 2021

Takim me Kryetarin e Alternativës Demokratike Shqiptare në Preshevë, z. Armend Aliu

Kryetarin e Alternativës Demokratike Shqiptare në Preshevë, z. Armend Aliu, të shoqëruar nga koordinatori, z. Halit Ramadani, dhe anëtarja e forumit të gruas brenda kësaj partie, znj. Hyljae Ibrahimi-Kadriu, i priti sot në takim, ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, dhe ish-ministrja e MEPTINIS, Rozeta Hajdari, të dyja tani deputete në legjislaturën e re.

Në këtë takim miqësor, z. Aliu dhe përfaqësuesit e tjerë na uruan për fitoren në zgjedhje dhe na dëshiruan sukses të mëtejmë në punën drejt formimit të institucioneve të reja. Duke kujtuar dhe vlerësuar ndihmën prej 500 mijë euro që Qeveria Kurti 1 pati ndarë për Preshevën, kryetari Aliu tha se pritjet janë të mëdha që bashkëpunimi me qeverinë e re të shtohet e zgjerohet edhe më tutje. Kosova përveçse ta ngris zërin për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duhet të ketë rol aktiv edhe në shtrimin e bashkëpunimit për çështje që rregullojnë dhe përparojnë jetën e qytetarëve shqiptarë në atë pjesë. Ata shprehën bindjen e thellë se angazhimi duhet të jetë i fokusuar në nivel ekspertësh që do të trajtonin çështje konkretet që prekin jetën praktike të qytetarëve të Luginës. Ne kemi vullnetin politik dhe dijen e profesionalizmin për të harmonizuar punën e përbashkët drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve atje, ishte përshtypja e dy palëve në këtë takim.

Në fund, znj. Nagavci dhe znj. Hajdari, e siguruan z. Aliu që Qeveria Kurti 2 do të vazhdojë të jetë zë dhe dorë ndihme e bashkëpunimi për shqiptarët e Luginës si në rrafshin e të drejtave, ashtu edhe në atë të zhvillimit dhe progresit socio-ekonomik të tyre.

Kontribo