09 04 2021

Homazhe në nderim e rikujtim të betejës së Kosharës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës njëherit edhe Kryetari i LV-së, Albin Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani e Kryeparlamentarin Glauk Konjufca bënë homazhe në nderim e rikujtim të betejës së Kosharës.

Beteja e Kosharës e shtyu kufirin andej nga e kërkonte drejtësia e mohuar. Ajo konfirmoi betimin e ushtarëve çlirimtarë për bashkimin. Ajo rivendosi kahjen e natyrshme të tërësisë territoriale të shqiptarëve. Ajo vërtetoi njësinë historike të popullit të një gjuhe. Ajo shpalli hapur edhe një herë tjetër drejtësinë e nëpërkëmbur të një populli.

Bashkimi i vendosur i shqiptarëve, në një betejë të lavdishme, e ktheu përmbys statuskuon. Lufta e UÇK-së ishte angazhimi i lavdishëm për korrigjimin e padrejtësisë shekullore. Ajo ishte përpjekje pavarësisht gjeopolitikës, për të cilën duhej trimëria deri në flijim e Agim Ramadanit dhe ushtarëve të tjerë.

Njohja e betejave tona, e sidomos e betejës së Kosharës do t’i mësoj të rinjtë nëpër shkolla se mendimi shkon bashkë me guximin. As guxim pa mendim, e as mendim pa guxim.

Kontribo