15 06 2021

Fjala e Kryeministrit Kurti pas takimit në Bruksel:

Link:
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/183492100271665

Sot, këtu në Bruksel, u zhvillua takimi i parë me delegacionin nga Serbia. Unë isha bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog. Kjo u bë me ndërmjetësimin e z. Borrell dhe z. Lajçak. Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë.

Përderisa pala tjetër fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja:

Propozimi i parë ishte që ta avancojmë marrëveshjen CEFTA të Ballkanit Perëndimor në marrëveshje SEFTA, me ç’ rast do ta përdornim modelin e shteteve si Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia që kanë me Bashkimin Evropian, pra EFTA-EEA.

Propozimi i dytë i yni ishte që një ditë pas Samitit të djeshëm të NATO-s ku u dhanë porosi shumë të qarta dhe unanime. Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku ne zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes, sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Propozimi tjetër që e bëmë ishte për çështjen e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, duhet të largohet nga delegacioni serb z. Veljko Odaloviqi cili ka qenë udhëheqës famëkeq në vitet 1997-1999 dhe bashkë me Zoran Angjelkoviq e kanë udhëhequr “Kosovën e okupuar” siç e kanë quajtur atëherë qarkun e Kosovës. Pra, vetë z. Nenad Canak ka pohuar se ekzistojnë 16 varreza masive në Serbi, vetëm 5 prej tyre janë hapur, janë zhvarrosur mbi 1 mijë shqiptar, prej tyre 744 vetëm në Batajnicë, por janë edhe 11 varreza të tjera masive dhe nuk kemi përse e komplikojmë çështjen kur zotërinjtë Odaloviq dhe Angjelkoviq e dinë se cilat janë ato varreza të tjera. Ndërkaq z. Nenad Canak pat thënë se këtë e ka dëgjuar nga ish ministri i brendshëm serb në kohën e kryeministrit të vrarë Zoran Gjingjiq, z. Dushan Mihajloviq.

Propozimi ynë i katërt sa i përket çështjes së pakicave ishte reciprociteti bilateral, i cili është parim i përgjithshëm por në veçanti në Kosovë, për serbët e Kosovës, ne do të mund të kishim një këshill nacional ashtu siç është në Serbi për shqiptarët e boshnjakët.

Tre propozimet tona të fundit u refuzuan. Për propozimin e parë për SEFTA-n nuk dhanë përgjigje, por unë sinqerisht shpresoj që do ta konsiderojnë seriozisht këtë propozimin tonë që e bëmë sot kur të kthehen ata në Beograd.

Ndërkaq takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës, që i bie me 25 korrik. Pra, ne do të jemi të gatshëm për pjesëmarrje në proces mirëpo nuk ka ende dakordim sa i përket agjendës për dialogun e ardhshëm në këtë takim të parë që u zhvillua sot.

Kontribo