Qeveria do e zvogëloj hendekun mes komuniteteve në arritjet mësimore
“Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara”, tha Kryeministri Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.
Duke përshëndetur mobilizimin e komunitetit për ndërtimin e një qendre të tillë, kryeministri Kurti theksoi se edhe qeveria do të jetë krahë i fuqishëm në drejtimin e njëjtë.
“Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër do të bëjmë përpjekje që kjo shumë të rritet. Ndihma profesionale që ofrojnë këto qendra mësimore do të jetë me rëndësi që fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të mos ngecin në mësime dhe, në këtë formë, të inkurajohen ta vazhdojnë shkollimin. Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri”, tha Kurti.