Vizita e kryeministrit Kurti në Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova -B
KEK-u kaloi një vit të suksesshëm duke përmirësuar performancën e prodhimit të energjisë elektrike me mbi 6 mijë GWh. Gjashtë mujori i parë i këtij viti tregon një vazhdimësi të punës së mirë pasi është tejkaluar plani për eksploatimin e thëngjillit. Furnizimi i pandërprerë me energji elektrike është parakusht për zhvillimin ekonomik dhe qeveria jonë do ta mbështes në plotni këtë ndërmarrje, tha kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës që i bëri sot KEK-ut bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kryeministri Kurti foli mbi nevojën për dekarbonizim, investimet që do të bëhen për zvogëlimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet, duke falënderuar njëherazi Bashkimin Evropian për mbështetje të pa kursyer në këtë drejtim. Tutje, ai theksoi se KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në mënyrë që të arrihet diversifikimi i prodhimit të energjisë duke inkuadruar energjinë e ripërtritshme e në veçanti atë solare.
Ministrja Rizvanolli në fjalën e saj kujtoi se KEK-ut më shumë se kurrë tani i duhet një udhëheqje profesionale e me integritet, që ka vizion reformues por edhe aftësi për të planifikuar dhe zbatuar atë vizion. Ajo ndau njoftimin se muajve në vijim do të hapet konkursi publik për bordin e rregullt të KEK-ut dhe ftoi të gjithë profesionistët e fushës të aplikojnë, me theks të veçantë gratë të cilat fatkeqësisht deri tani kanë qenë të nënpërfaqësuara.
Ngjashëm, ajo inkurajoi të gjithë profesionistët e interesuar të aplikojnë edhe për pozitën e kryeshefit ekzekutiv te KEK-ut në konkursin publik i cili vazhdon të jetë i hapur deri me 23 gusht të këtij viti. Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria është e interesuar që të sigurojë një proces fer, profesional dhe transparent të rekrutimit në pozitat e hapura në Ndërmarrjet Publike.
Vizita që filloi në mëngjesin e sotëm përfshiu Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova -B